Lidhje

Të dhënat e zbulimit të paraluftës ngjallin reagime në SHBA - 2003-07-15


Gjatë diskutimeve që vazhdojnë lidhur me të dhënat amerikane të zbulimit që çuan në luftën e Irakut, administrata e Presidentit Bush ka pranuar një gabim: informacionin që i referohej përpjekjeve të Irakut për të shtënë në dorë nga kontinenti afrikan, material për prodhimin e armëve bërthamore, informacion i cili u përfshi në fjalimin e Presidentit Bush mbi gjendjen e vendit në muajin janar.

Megjithatë, administrata thotë se informacionet e tjera që shfrytëzoi për justifikimin e luftës ishin të sakta, ndërsa kritikët, nga ana e tyre, shprehin mosbesim.

I vendosur për të ndërhyrë në Irak, a mos i ekzagjeroi vallë Presidenti Bush argumentat e tij duke u bazuar në të dhëna zbulimi të gabuara? Kritikët thonë se po, ndërkohë që përkrahësit përgjigjen se një president duhet të marrë masa dhe nuk i lejohet të rrezikojë përsa i përket mbrojtjes së populit amerikan, por të përgatitet për rastin më të keq.

Në një konferencë shtypi të Shoqatës Amerikane për Kontrollin e Armëve, një ish-punonjës i zyrës së Departamentit të Shtetit për zbulimin mohoi pohimet e mëparshme se Iraku kishte patur armë të shkatërrimit në masë apo lidhje me terroristët e al-Qaidës, siç kishte ngulur këmbë administrata.

CIA ka marrë ndërkaq përgjegjësinë për informacionin e pasaktë se Iraku po përpiqej të blinte uranium nga Nigeri, por Greg Thilman thotë se problemi nuk mbaron me kaq.

“Besoj se Administrata nuk ia ka përshkruar saktë popullit dhe ushtrisë amerikane kërcënimin që përbënte Iraku. Një pjesë e fajit për këtë u mbetet strukturave të zbulimit, por pjesa më e madhe ka të bëjë me mënyrën se si zyrtarët e lartë e keqpërdorën informacionin që u ishte dhënë”, thotë zoti Thielman.

Ai thotë se të gjitha shenjat tregonin që Iraku nuk ishte në gjendje të të prodhonte armë të shkatërrimit në masë. Ai ishte mundur në Luftën e Parë të Gjirit Persik, ishte dërrmuar nga sanksionet ekonomike dhe vëzhguar me kujdes nga inspektorët ndërkombëtarë të armëve.

Joseph Cirincione, po i Shoqatës për Kontrollin e Armëve, thotë se administrata amerikane nuk la asnjë dyshim në deklaratat e saj në lidhje me ekzistencën e një arsenali të tillë armësh të shkatërrimit në masë. Gjatë javëve të fundit, pjesëtarë të Institutit Carnegie Endowment i kanë rishqyrtuar këto deklarata.

“Deklaratat shkuan shumë përtej vlerësimeve të zbulimit tashmë josekrete dhe në dispozicion të publikut”, thotë zoti Cirincione.

Kolegu i tij, Thielman, thotë se në botë kishte zona të tjera që përbënin më shumë rrezik për Shtetet e Bashkuara se sa Iraku.

Duke iu pëgjigjur kritikëve, Presidenti Bush kërkon që çështja e informacioneve të zbulimit të shihet në një këndvështrim më të gjerë. Ai thotë se me kohë, faktet do të provojnë vërtetësinë e vlerësimeve të tij.

Clifford May, president i Fondacionit për Mbrojtjen e Demokracive, ka të njëjtën bindje. ”Mirëpo, thotë ai, fjalimi i Presidentit për gjendjen e vendit është dokument i rëndësishëm.”

“Çdo gjë që shkruhet në të, duhet studiuar me kujdes. Duhej parandaluar çdo gabim. Dikush duhet të përgjigjet për këtë, madje të shkarkohet. Por, ajo që më bën më shumë përshtypje si qesharake dhe e motivuar politikisht a diçka tjetër, është manipulimi i mjeteve të shtypit rreth kësaj çështjeje”, thotë ai.

Zoti May citon Sekretarin amerikan të Mbrojtjes, Donald Rumsfeld, sipas të cilit sulmet e 11 shtatorit i kanë ndryshuar rrënjësisht gjërat dhe Amerika nuk mund të rrezikojë më.

Ralph Peters shkruan ndërkaq në New York Post se çdo ekip i Shtëpisë së Bardhë, qoftë demokrat ose republikan, ka prirjen joproduktive të përzgjedhë atë informacion zbulimi që vërteton pikëpamjen e vet për botën dhe injoron informacionet e tjera. //kk//

XS
SM
MD
LG