Lidhje

Uragane në Amerikë, temperatura të larta në Evropë - 2003-07-15


Uragani Claudette po godet brigjet e Teksasit qendror me erëra dhe shira të fuqishme dhe pritet të hyjë në tokë të martën në mbrëmje. Shërbimi metereologjik amerikan thotë se ka mundësi që uragani të godasë në tokë pranë qytetit bregdetar Port O’Connor, 160 kilometra në jug të Hjustonit. Claudette ishte fillimisht një stuhi tropikale, por kur erërat e tij arritën shpejtësinë 120 kilometra në orë stuhia u klasifikua si uragan. Claudette ndodhet në Gjirin e Meksikës. Banorët pranë brigjeve të Teksasit janë paralajmëruar të marrin masa, ndërsa erërat e fuqishme po fillojnë të godasin pjesë të bregut të Luizianës. Autoritetet thonë se në zonat më të goditura mund të ketë përmbytje dhe shira të rrëmbyer.

Temperaturat e larta prekin Evropën

Një valë temperaturash të larta ka përfshirë pjesën më të madhe të Evropës dhe ka bërë që autoritetet italiane të shqyrtojnë mundësinë e shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme. Zyrtarët thonë se kjo masë do të jetë e nevojshme nëse në veri të Italisë nuk bien sasira të konsiderueshme shirash deri në fund të muajit. Ata u bënë thirrje banorëve që të kufizojnë përdorimin e ujit ndërsa niveli i lumit Po që kalon në zonat kryesore bujqësore të vendit, ra shtatë metra nën normalen. Ndërkohë njoftohet se thatësira ka përfshirë edhe disa zona të Francës, ndërsa temperaturat arritën nivele rekord në Britani, Spanjë dhe madje edhe në Zvicër, ku zakonisht është klimë e freskët. //kk//

XS
SM
MD
LG