Lidhje

Drejtori i CIA-s Tenet do të ndeshet sot me pyetje të vështira para një komisioni të senatit - 2003-07-15


Drejtori i Agjencisë së Zbulimit Amerikan, George Tenet, do të dalë sot para një komisioni të senatit për atë që pritet të jetë një seancë pyetjesh të vështira lidhur me informacionin e gabuar të zbulimit rreth armëve të Irakut.

Anëtarë të komisionit të senatit për zbulimin do t’i kërkojnë sigurime zotit Tenet lidhur me cilësinë e informacionit të zbulimit amerikan. Zoti Tenet del para komisionit të senat një javë pasi mori përgjegjësinë për një deklaratë të rreme, që u përfshi në një prej fjalimeve të presidentit Bush, sipas së cilës Iraku kishte marë uranium nga Afrika.

Disa demokratë e kanë përdorur këtë deklaratë për të vënë në pikpyetje argumentin e presidentit për të ndërhyrë ushtarakisht në Irak.

Ndërkohë, zyrtarë irakianë thonë se Këshilli i ri qeverisës i Irakut planifikon të ngrejë një gjykatë për krimet e luftës që do të gjykojë anëtarët e rregjimit të Sadam Hysenit.

Grupi i të drejtave të njeriut Human Rights Watch tha se forcat e koalicionit të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara në Irak duhet të bëjnë më shumë për të mbrojtur gratë irakiane nga krimet seksuale dhe trafikimi.

Human Rights Watch tha se forcat amerikane duhet të krijojnë një njësi të posaçme për të hetuar krime seksuale kundër grave dhe vajzave deri sa policia irakiane të jetë në gjendje të bëjë një gjë të tillë. Grupi i të drejtave të njeriut me seli në Shtetet e Bashkuara vuri në dukje se autoritetet irakiane dhe ato të koalicionit duhet të ndërmarrin reforma ligjore për të siguruar mbrojtjen e grave.

Human Rights Watch thekson në një raport të publikuar sot se forcat policore irakiane dhe amerikane po marrin njoftime lidhur me rrëmbimin e grave, por nuk janë në gjendje ti hetojnë plotësisht këto raste.

Zyrtari i organizatës Human Rights Watch, Hanny Megally, tha se gratë dhe vajzat në Irak nuk janë fizikisht të sigurta dhe si pasojë nuk mund të marrin pjesë në shoqërinë e pas luftës.

//ze//

XS
SM
MD
LG