Lidhje

Bisedë Powell-Zhaoxing lidhur me ambicjet bërthamore të Koresë së Veriut - 2003-07-15


Sekretari amerikan i shtetit Colin Powell dhe ministri i jashtëm kinez, Li Zhaoxing, zhvilluan një bisedë lidhur me ambicjet bërthamore të Koresë së Veriut.

Agjencia kineze zyrtare e lajmeve Hsinhua bëri të ditur se, gjatë një bisede telefonike në orët e para të mëngjesit, dy zyrtarët ishin të një mendimi që të mbajnë kontakte dhe të shtojnë përpjekjet për të përmirësuar marrëdhëniet amerikano-kineze. Agjencia Hsinhua nuk dha hollësi të tjera.

Administrata e Presidentit Bush po shqyrton pretendimin e Koresë së Veriut kur tha se ka prodhuar sasi të mjaftueshme plutoniumi për të bërë disa bomba bërthamore. Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Scott McClellan, tha dje se disa prej pretendimeve që Penjani ka bërë në të kaluarën kanë qënë false, por ai theksoi se pretendimet e fundit duhen hetuar.

Zoti McClellan konfirmoi njoftimet e shtypit se Koreja e Veriut deklaroi planet e saj për të vënë përsëri në përdorim karburantin bërthamor gjatë një takimi të kohëve të fundit me një zyrtar të departamentit të shtetit. Zëdhënësi tha se Washingtoni nuk është në gjendje të konfirmojë saktësinë e njoftimit të Koresë së Veriut.

Një zyrtar i lartë i Pentagonit tha se gjendja lidhur me programin e armëve bërthamore të Koresë së Veriut është serioze, por nuk është problem vetëm për Shtetet e Bashkuara. Korrespondenti ynë Alex Belida, njofton nga Pentagoni.

Zëdhënësi i Pentagonit Larry Di Rita nuk u dha rëndësi dje pyetjeve të gazetarëve rreth ndërhyrjes së mundshme ushtarake amerikane kundër Koresë së Veriut. Ai theksoi në mënyrë të përsëritur para gazetarëve të Pentagonit se administrata e presidentit Bush po ndjek në mënyrë agresive një kurs diplomatik për zgjidhjen e krizës së armëve bërthamore.

Megjithatë, zoti Di Rita, ndihmës i lartë i sekretarit amerikan të mbrojtjes, Donald Rumsfeld, e cilësoi gjendjen si serioze dhe shtoi se ky ishte një problem jo vetëm për Shtetet e Bashkuara, por për të gjithë botën.

Ai e cilësoi Korenë e Veriut një vend që ka dërguar teknologji raketash në ato që ai i i quajti vende të këqija. Ai tha gjithashtu se Koreja e Veriut është një vend që mund të shesë teknologji bërthamore.

I pyetur rreth komenteve të bëra nga ish sekretari i mbrojtjes, William Perry se Shtetet e Bashkuara dhe Koreja e Veriut mund të zhyten në luftë, zoti Di Rita tha se ish sekretari Perry është i lirë të shprehë mendimet e tij.

Por ai tha gjithashtu se zoti Perry e kupton rëndësinë e ruajtjes së një ofensive diplomatike për sa i përket Penjanit.

Koreja e Veriut është tërhequr nga traktati për mos përhapjen e armëve bërthamore dhe ka dëbuar zyrtarët e agjencisë së Kombeve të Bashkuara për armët bërthamore. Penjani kërkon të diskutojë drejtë për drejtë me Washingtonin lidhur me krizën aktuale, por qeveria ameriakne këmbëngul që në bisedime të marrin pjesë edhe vende të tjera, përfshirë Kinën, Japoninë dhe Korejnë e Jugut.

Shtëpia e Bardhë ka thënë se në përpjekjet e saj për të zgjidhur krizën e armëve bërthamore nuk do të përulet para shantazhit të Koresë së Veriut.

//ze//

XS
SM
MD
LG