Lidhje

Në Shqipëri hyri në fuqi Kodi Zgjedhor - 2003-07-16


Kodi i ri Zgjedhor i Shqipërisë hyn të mërkurën në fuqi, me mbi 60 nene të përmirësuara ndjeshëm, duke i dhënë një shtytje tjetër përgatitjeve për zgjedhjet e afërta të pushtetit vendor.

Miratimi i amendamenteve nga Parlamenti dhe Presidenti i dha fund reformës ligjore të kërkuar me ngulm nga OSBE-ja dhe BE-ja. Me hyrjen e ligjit në fuqi, presidenti Alfred Moisiu, mund të dekretojë së shpejti datën e zgjedhjeve vendore, që jozyrtarisht mendohet të jetë në ditët e para të muajit tetor.

Kodi i përmirësuar i hapi kështu rrugën edhe rindërtimit të komisioneve zonale të zgjedhjeve, dhe një serie etapash të tjera përgatitore, që nga çelja e fondeve, dhe ngritja e infrastrukturës ndihmëse për zgjedhjet.

KQZ-ja ka bërë një punë voluminoze për përmirësimin e listave të zgjedhësve, dhe ka nxjerrë disa vendime për lehtësimin e procesit zgjedhor, pushteti vendor po përgatit mjediset e përshtatshme, ndërsa forcat politike janë duke përzgjedhur qindra kandidatë për bashkitë e komunat e vendit.

Përgatitjet partiake janë ato që bien më shumë në sy. Partitë e vogla janë të pakënaqura nga miratimi prej PS e PD i disa neneve të Kodit Zgjedhor që dëmton interesat e tyre. Edhe procesi i negociatave të tyre me këto parti po ecën më vështirësi. Bie lehtë në sy një kontradiktë midis kërkesave në rritje të partive të vogla dhe kujdesit të partive të mëdha për të mos u besuar shumë atyre dhe për t’u përqendruar më tepër në duelin mes forcave kryesore. Në qytete si Tirana dhe qendra të tjera të mëdha tensioni i përgatitjeve është edhe më i madh.

Zgjedhjet e këtij viti janë në qendër të vëmendjes së një morie vëzhguesish të huaj. Përfaqësues të ODIHR-OSBE deklaruan në Tiranë, se tani që reforma zgjedhore në letër u krye është shumë e rëndësishme që ato të zbatohen me përpikmëri në terren, dhe që vendi të sigurojë zgjedhje të lira e të drejta, duke lehtësuar në këtë mënyrë edhe integrimin në strukturat euro-atlantike.

Ekspertë të OSBE-së po këshillojnë dhe vëzhgojnë nga afër procesin e përgatitjeve zgjedhore në terma afatgjatë, ndërsa një numër i konsiderueshëm vëzhguesish afatshkurtër pritet të vijnë pak ditë para zgjedhjeve.//kk//

XS
SM
MD
LG