Lidhje

5 vjet pas krijimit Gjykata Penale është gati të funksionojë - 2003-07-16


Këtë javë mbushen 5 vjet që nga krijimi përmes një traktati i gjykatës së parë të përhershme për ndjekjen penale të të akuzuarve për krimet më të rënda kundër njerëzimit, përfshirë gjenocidin.

Gjykata Penale Ndërkombëtare, ka tashmë në selinë e saj në Hagë 18 gjykatës ndërkombëtarë dhe një prokuror argjentinas, gati të fillojnë nga zbatimi i drejtësisë.

Në shtator 1947, prokurori Benjamin Ferencz qendronte para trupit gjykues në Nuremberg të Gjermanisë dhe ngrinte padi kundër 22 nazistëve të akuzuar për masakrimin e më shumë se 1 milionë të pafajshmëve.

“Ne do të argumentojmë përtej çdo dyshimi se masakrat e kryera nga këta të akuzuar nuk diktoheshin nga nevoja të domosdoshme ushtarake, por nga perversiteti suprem i të menduarit, - teoria naziste e racës superiore”, thoshte para 55 vjetësh prokurori Ferencz, i cili tani në moshën 83-vjeçare punon për idealet e Gjykatës së Nurembergut përmes Gjykatës së parë të Ndërkombëtare Penale. Ai ka luftuar në radhët e forcave amerikane për çlirimin e Evropës nga nazistët.

Reth 90 vende, përfshirë shumë aleatë të Shteteve të Bashkuara, si Kanadaja, vendet e Bashkimit Evropian, Brazili dhe Koreja e Jugut, kanë aderuar në gjykatë, megjithatë, jo të gjitha vendet e mbështesin atë. Shumë prej diktaturave të botës i janë shmangur asaj, madje edhe disa vende demokratike kanë shprehur rezerva. Administrata e Presidentit Bush është fuqimisht kundër gjykatës dhe është e vendosur të mbrojë qytetarët amerikanë nga përgjegjësia ndaj saj.

Ruth Wedgewood, profesore e së drejtës ndërkombëtare në Universitetin John Hopkins në Washington, thotë se gjykata mund të përdoret për ngritje akuzash të motivuara politikisht kundër udhëheqësve apo ushtarakëve amerikanë, pikëpamje kjo edhe e Shtëpisë së Bardhë.

“Disa njerëz e shohin Gjykatën Ndërkombëtare Penale si instrument për t’i dalë kundër fuqisë amerikane”,thotë profesorja Wedgewood e cila shton se administrata amerikane nuk është aspak dakord me faktin që gjykata mund të ndjekë penalisht edhe individë nga vende që nuk e kanë ratifikuar traktatin për krijimin e saj.

Mirëpo Ben Ferencz thotë se kjo frikë është e ekzagjeruar dhe e pavend. Si një ish-ushtar në fushë-betejë, ai thotë se nuk do të mbështeste asgjë që do të rrezikonte trupat amerikane në botë.

“Gjykata Ndërkombëtare Penale nuk do të kishte juridiksion mbi trupat amerikane, po qe se udhëheqësit nuk janë përgjegjës për gjenocid apo krime kundër njerëzimit, që do të thotë krime të atyre përmasave që do të përbënin shqetësim për të gjithë bashkësinë ndërkombëtare. Trupat amerikane nuk bëjnë gjëra të tilla askund në botë. Gjykata është për njerëz si Sadam Huseini, Adolf Hitleri, Stalini, njerëz që i drejtojnë këto lloje krimesh”.

Për më tepër, thotë zoti Ferencz, prejardhja e ndryshme e 18 gjykatësve kryesorë, nga vende që janë aleatet më të rëndësishme të Shteteve të Bashkuara, si Kanadaja e Britania, garanton paanshmërinë e gjykatës.

Por Profesorja Wedgwood përmend fusha të tjera që përbëjnë shqetësim për Shtetet e Bashkuara lidhur me këtë çështje.

“Mund të ngrihen akuza edhe ndaj akteve të tilla që ne apo të tjerët mendojnë se janë krejtësisht ndërhyrje humanitare, ose në vetëmbrojtje kundër terrorizmit, sikur të ishin akte agresive”, thotë profesoresha.

Administrata e Presidentit Bush shkurtoi ndihma të konsiderueshme ushtarake për dhjetra vende aleate që kanë kundërshtuar të përkrahin imunitetin e qytetarëve amerikanë nga gjykata.

Ben Ferencz thotë se frika aktuale ndaj terrorizmit e ka shtyrë administratën amerikane të jetë kundër Gjykatës Ndërkombëtare Penale, por shton se Shtetet e Bashkuara e vende të tjera mund të aderojnë në të më vonë.

Ndërkohë, nga fundi i këtij viti, sytë e botës do të drejtohen nga Haga kur gjykata të fillojë shqyrtimin e çështjeve të para penale.//kk//

XS
SM
MD
LG