Lidhje

Kritikat për pasaktësitë në zbulim bashkojnë demokratët - 2003-07-17


Përfaqësuesit e Partisë Demokratike në Kongresin amerikan po i shtojnë kritikat ndaj mënyrës se si presidenti Bush ka shfrytëzuar informatat e shërbimeve të zbulimit për programin e armëve të Irakut. Kjo i ka bashkuar Demokratët, të cilët gjer tani kanë qenë të përçarë për çështjen e luftës së Irakut.

Pas anketimeve që tregojnë një rënie të përkrahjes për presidentin Bush nga publiku, pasi ai pranoi se kishte cituar një raport jo të saktë të zbulimit në njërin nga fjalimet e tij, pa humbur kohë, demokratët e shfrytëzuan këtë fakt. Senatori Ted Kennedy i shtetit Massachussetts bëri para dy ditësh akuzat më të ashpra: “Është turp që vendimi për të shkuar në luftë u mor, duke u bazuar në informata të dyshimta, të tepruara por dhe të pasakta. Të gjitha të dhënat tregojnë se administrata ka manipuluar shërbimet e zbulimit, pra në këtë mënyurë, edhe të vërtetën. Administrata e ka dëmtuar prestigjin dhe kredibilitetin e Amerikës në botë dhe kanë dëmtuar besimin që amerikanët do të duhej të kishin në atë që qeveria u thotë atyre. Sa amerikanë do të dyshojnë ne ardhmen në atë që do t’u thotë administrata?”

E tërë çështja është rreth një deklarate që presidenti Bush bëri në një fjalim drejtuar popullit amerikan në janar. Në këtë fjalim presidenti u shpreh se Iraku kishte blerë uranium nga Afrika.

Edhe pse kjo deklaratë ishte pjesë e përgatitjes nga presidenti të opinionit publik për luftën në Irak, ai pranoi javën e kaluar se deklarata ishte bazuar në informacione të dyshimta. Drejtori i CIA-s George Tenet mori përgjegjësinë javën e kaluar për këtë gabim.

Por demokratët thonë se presidenti është personi që duhte të mbajë përgjegjësi për këtë. Një tjetër ligjvënës demokrat foli në Senat vetëm disa orë para se Senatori Kennedy bëri deklaratën e tij se administrata kishte manipuluar informatat për të justifikuar luftën në Irak, duke lënë kështu të kuptohet se ishte një strategji e koordinuar nga ana e demokratëve.

Senatori Carl Levin është nën-kryetari demokrat i Komisionit të Senatit për Forcat e Armatosura dhe një anëtar i rëndësishëm i Komitetit të Zbulimit. “Deklara e presidentit se Iraku kishte blerë armë nga Afrika nuk ishte një gabim apo pakujdesi. Ishte një plan i koordinuar nga CIA dhe Këshilli i Sigurimit Kombëtar”. Dhe ky ishte një mashtrim, tha Senatori Levin.” Demokratët po e ndiejnë se prestigji i presidenti është i rrezikuar nga këto akuza. Një anketim i kohëve të fundit nga revista ”Newsweek”, tregon se përkrahja e presidentit nga opinioni publik ka pësuar një rënie të dukshme, nga 74 përqind që ishte në prill, në 53 përqind tani.

Por Republikanët i akuzojnë Demokratët se janë duke luajtur lojëra politike, dhe ata vazhdojnë të përkrahin vendimin e presidentit për të sulmuar Irakun. Ata thonë se edhe pa atë raport të dyshimtë, kishte fakte të mjaftueshme që tregonin se Iraku kishte armë të shkatërrimit në masë, të cilat përbënin rrezik për Shtetet e Bashkuara dhe botën.

“Ajo çka është e rëndësishme për popullin amerikan, ajo çka është e rëndësishme për lirinë dhe demokracinë që e jetojmë këtu është se ne bëmë atë që duhej. Ne e filluam luftën me një motiv të drejtë dhe të bazuar me fakte shumë bindëse dhe deklarata mbi blerjen e uraniumit u përdor thjesht nga rastësia. Ishte vetëm një imtësi në numrin e madh të informatave të cilat ishin të fuqishme dhe ne të gjithë i besuam.” Një tjetër çështje për të cilën Demokratët mendojnë se mund ta kritikojnë administratën aktuale, është çmimi i luftës së Irakut, si përsa i përket numrit të viktimave, ashtu edhe për humbjet materiale.

Ndërkohë që çdo ditë vritet mesatarisht një ushtar amerikan nga besnikët e Sadam Husenit, demokratët po akuzojnë presidentin Bush se nuk është i përgjegjeshëm për rrezikun që trupat amerikane po përballen në Irakun e pas luftës.

Kjo së bashku me një shumë prej katër miliardë dollarë në muaj që po shpenzohen në Irakun e pasluftës për një kohë të pacaktuar, sipas demokratëve, nuk është e pranueshme nga taksapaguesit amerikanë. //kk//

XS
SM
MD
LG