Lidhje

NATO-ja nxit Shqipërinë të luftojë krimin dhe vlerëson përparimet - 2003-07-17


I shoqëruar nga 19 ambasadorë të vendeve anëtare, Sekretari i Përgjithshëm i Natos, lordi George Robertson, gjatë qëndrimit në Tiranë, u interesua për ecurinë e reformave në Shqipëri.

Në takimet që patën me autoritetet më të larta që nga presidenti i Republikës Alfred Moisiu, kryeministri Fatos Nano, Ministri i Jashtëm Ilir Meta dhe Ministri i Mbrojtjes Pandeli Majko, përfaqësuesit e Natos nuk u ndalën vetëm në çështjet ushtarake, por kërkuan informacion mbi të gjitha zhvillimet: për masat e marra për të reduktuar ekonominë informale, për luftën kundër krimit të organizuar e deri të zgjedhjet e ardhshme vendore.

"Një pjesë e rëndësishme e pasaportës së Shqipërisë për të ardhmen do të jetë lufta e saj e vendosur kundër krimit dhe kriminelëve. Me vete ambasadorët e Natos do të marrin përparimin e dukshëm që është bërë këtu. Edhe pse do të presin që të bëhet një përparim më i madh, besimi i tyre do të forcohet pas kësaj vizite", tha lordi Robertson duke përgëzuar kryeministrin për arritjet e deritanishme mes të cilave ai përmendi bllokimin e trafikut të klandestinëve nëpërmjet motoskafeve.

Kreu i qeverisë shqiptare Fatos Nano, deklaroi në konferencën për shtyp që dha me lordin Robertson, se qeveria e tij vazhdon të trajtojë me përparësi luftën kundër krimit të organizur, trafiqeve të paligjshme dhe korrupsionit:

“Sigurova në emër të qeverisë përfaqësuesit e lartë të Natos për vazhdimin e angazhimeve tona në thellim të bashkëpunimit të institucioneve tona me homologët e Natos dhe BE-së në dobi të përshpejtimit të reformave që garantojnë realizimin e objektivave të planit te veprimit për anëtarësim me të njejtin ritëm që ecin negociatat tona për asocim-stabilizimin”, tha Kryeministri.

Në takimet që pati në Tiranë, Sekretari i Përgjithshëm i Natos rikonfirmoi edhe një herë mbështetjen e Alenacës për anëtarësimin e plotë të Shqipërisë:

"Ambasadorët e Këshillit të Natos ishin në Shqipëri për të rikonfirmuar angazhimin e tyre për të ndjekur politikën e dyerve të hapura të Natos dhe për të inkurajuar Shqipërinë që të vazhdojë përpjekjet e saj, të kryejë e reformat dhe të përmbushë ato standarte që një ditë edhe ajo të futet në Nato”, u shpreh Lordi Robertson i cili saktësoi se anëtarësimi në Nato nuk është një dhuratë, as një privilegj por një barrë e rëndë.

“Vendet që duan të bëhen anëtare, shpjegoi ai, duhet të jenë në gjendje të kontribuojnë për sigurinë dhe jo vetëm të përfitojnë prej saj".

Shqipëria së bashku me Maqedoninë dhe Kroacinë janë të vetmet vende që në takimin e nivelit të lartë të Pragës nuk u ftuan të bëhen anëtare të Natos. Tashmë ato po bashkëpunojnë ngushtë për të përshpejtuar integrimin e tyre në gjirin e Aleancës, me të cilën kanë nëshkruar dhe planin e veprimit për anëtarësim.//kk//

XS
SM
MD
LG