Lidhje

Kosovë: përfaqësuesit ndërkombëtarë kërkojnë përshpejtimin e përmbushjes së standardeve - 2003-07-17


Në mjediset e zyrës amerikane në Prishtinë, shefat e zyrave të pesë vendeve më me ndikim, Shteteve të Bashkuara, Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Italisë dhe Francës, u kanë bërë thirrje institucioneve të Kosovës që të përgatiten për fillimin e dialogut me Beogradin dhe së bashku me Misionin e Kombeve të Bashkuara të punojnë, për siç thuhet, përshpejtimin e procesit të përmbushjes së standardeve të përcaktuara.

Shefi i zyrës amerikane Reno Harnish, tha se diplomatët e huaj kanë dy shqetësime themelore.

“E para është çështja e fillimit të bisedimeve të drejtpërdrejta ndërmjet institucioneve të përkohshme të Kosovës dhe Beogradit”, tha zoti Harnish, duke nënvizuar se, që të pesë vendet mbështesin këto bisedime.

Prandaj, ai tha se “udhëheqësit e Kosovës duhet të përgatiten tash për këto biseidme dhe të mos presin fundin e verës”. Ndërkaq çështja e dytë, sipas tij, janë standardet që paraqesin qëllimet e bashkësisë ndërkombëtare për Kosovën, ndërsa institucionet dhe qytetarët e Kosovës duhet të punojnë për përmbushjen e tyre në një kohë të shkurtër.

Shefi i zyrës italiane Pasquale Salzano, vendi i të cilit kryeson aktualisht Bashkimin Evropian, tha se bisedimet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit janë cështje me përparësi.

“Ne do të dëshironim që këto bisedime të fillojnë sa më parë që është e mundur, mbase edhe para muajit gusht”, tha zoti Salzano.

Por deri tani megjithë kërkesën e Bashkimit Evropian, Prishtina dhe Beogradi kanë përsëritur se është e pamundur që bisedimet të fillojnë para shtatorit.

Diplomatët perëndimor përkrahën qëndrimet e ngjashme rreth kësaj çështjeje, por tani për tani përjashtuan mundësinë që bisedimet të kalojnë edhe tek tema e zgjidhjes së statusit politik të Kosovës.

Shefi i zyrës Gjermane Peter Rondorph theksoi se përmbushja e standardeve para statusit është një proces dinamik që nuk mund të zgjasë shumë. Duke cituar shefin e deritashëm të UNMIK-ut Michael Steiner, zoti Rondorph tha se “një vit është shumë pak, ndërsa pesë vjet janë shumë, për përmbushjen e standardeve dhe zgjidhjen e statusit politik”. Ai tha se një ndër çështjet më të rëndësishme nga të cilat do të varet shumë e ardhmja e Kosovës, është ajo e trajtimit të pakicave kombëtare dhe vendosja e sundimit të ligjit.

Shpërthim pranë stacionit të policisë në Podujevë

Zyrtarët e policisë së Kombeve të Bashkuara njoftuan se një bombë dore ka shpërthyer pas mesnatës afër stacionit të policisë në Podujevë, rreth 40 kilometra në veri të Prishtinës.

Zëdhënësi i policisë, Derek Chappell, tha se pas shpërthimit, i cili nuk ka shkaktuar viktima, policia ka gjetur në rrugë edhe dy bomba të tjera të pashpërthyera. Tani për tani, theksoi ai është herët të flitet për arsyet e këtij shpërthimi.

“Unë nuk e quaj këtë sulm ndaj stacionit të policisë, sepse po të dëshironin, ata që kanë hedhur bombat, mund ta bënin mbi ndërtesën apo automjetet e poicisë. Por fakti se këto shpërthime mund të jenë të ndërlidhura me protestat e djeshme kundër dënimit të pjestarëve të ish- Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është duke u shqyrtuar seriozisht nga policia”, tha zoti Chapell.

Katër ish kryengritës shqiptarë të cilët u dënuan të mërkurën me 45 vjet heqje lirie gjithsej, nën akuzat për krime lufte vijnë nga komuna e Podujevës.

Dënimi i tyre ka nxitur reagime të një pjese të forcave politike dhe strukturave të dala nga lufta të cilat kanë pohuar se ky ishte një proces gjyqësor me motive politike. Zyrtarët ndërkombëtarë ndërkaq kanë pohuar se “dënimi nuk ka të bëjë me organizatat të cilave të dënuarit u kanë takuar apo u takojnë, por me individët”.

//kk//

XS
SM
MD
LG