Lidhje

Transmetohet një kasetë ku mendohet se flet Sadami - 2003-07-17


Një kanal televiziv arab transmetoi një kasetë që thotë se përmban zërin e Sadam Husseinit ku ai u bën thirrje irakianëve që të luftojnë kundër pushtimit amerikan.

Televizioni Al-Arabia me qendër në Dubai e transmetoi kasetën sot, në 35-vjetorin e revolucionit që solli në pushtet partinë Baath të Sadam Husseinit.

Folësi në kasetë dënon Këshillin e ri Qeverisës Irakian gjë që lë të kuptohet se nëse kaseta është e vërtetë, Saddam Husseini duhet të jetë ende gjallë.

Folësi e quan këshillin një shërbëtor të autoriteteve pushtuese. Ai u bën thirrje irakianëve të zhvillojnë luftë të shenjtë kundër forcave amerikane në vend.

Njerëzit që e njohin mirë zërin e Saddamit dhe stilin e tij të të folurit thonë se zëri në kasetë i ngjan atij, megjithatë vërtetësia e kasetës nuk është konfirmuar.

Vendndodhja e Saddamit vazhdon të jetë mister qysh nga muaji prill kur forcat e koalicionit të kryesuar nga Shtetet e Bashkuara e rrëzuan atë nga pushteti.

Në një kasetë tjetër të transmetuar më 5 korrik, zëri që thoshte se ishte Saddam Husseini theksonte se ai ndodhej ende brenda Irakut i shoqëruar nga përkrahësit e tij. Forcat ushtarake amerikane në Irak janë vënë sot në gjendje të lartë gadishmërie, në rast se atje ndodhin sulme të reja, me rastin e përvjetorit.

Një senator thotë se Shtëpia e Bardhë këmbënguli për informacionin e uraniumit

Një senator amerikan citon drejtorin e CIA-s, George Tenet të ketë thënë se një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë këmbënguli për përfshirjen e informacionit të diskutueshëm mbi ambiciet bërthamore të Irakut në fjalimin që Presidenti mbajti për gjendjen e vendit në janar.

Senatori Dick Durbin tha se zoti Tenet e përmendi me emër zyrtarin dje gjatë një dëshmie në komisionin e Senatit për zbulimin. Zoti Tenet e ka pranuar përgjegjësinë që lejoi që informacioni për Irakun, i cili doli se ishte i pasaktë, të përfshihej në fjalimin e presidentit.

Por senatori Durbin thotë se pyetja e vërtetë që shtrohet është se përse Shtëpia e Bardhë këmbënguli aq shumë që ta përdorte informacionin e dyshimtë. Një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë e hodhi poshtë pohimin e senatorit, duke e quajtur një gjë të tillë “marrëzi” dhe tha se është qesharake të mendohet se administrata e Presidentit Bush i kishte bërë presion CIA-s.

Zbulohet një varr masiv në veri të Bagdadit

Ushtria amerikane njofton për gjetjen e një varri masiv në veri të Bagdadit ku mendohet të jenë varrosur rreth 400 persona. Në një njoftim të ushtrisë amerikane, thuhet së hetuesit ushtarakë po punojnë në vendin e varrit masiv në zonën e Al-Hatrës, e cila ndodhet në jug të qytetit të Mosulit.

Zyrtarët njoftojnë se mbështetur në të dhënat e banorëve lokalë, varri masiv mund të ketë trupat e 200 deri në 400 personave. Agjencia franceze e shtypit, e cila citon banorët vendas, thotë se personat e varrosur janë kurdë të ekzekutuar nga regjimi i Sadam Husenit në vitin 1988. //kk//

XS
SM
MD
LG