Lidhje

Kryeministri Bler për vizitë në Uashington - 2003-07-17


Kryeministri britanik Toni Bler, aleati kryesor i Shteteve të Bashkuara në luftën për përmbysjen e Sadam Huseinit, ndodhet në Uashington. Zoti Bler do të mbajë një fjalim në Kongresin amerikan dhe do të takohet me presidentin Bush.

Në fjalimin për Kongresin, një nder i rallë ky për udhëheqësit e huaj, kryeministri Bler pritet të theksojë nevojën për qëndrimin e forcave të koalicionit në Irak gjatë përpjekjeve për rindërtimin e këtij vendi.

Qeveria britanike dhe administrata amerikane janë vënë në shenjëstër të kritikave në vendet e tyre për përdorimin e informacioneve të pasakta të zbulimit para fillimit të luftës.

Po të mos ishin debatet për informacionet e zbulimit që u përdorën për të përligjur luftën në Irak, Kryeministrit Britanik do t’i ishte bërë një pritje akoma më e ngrohtë në Kongres.

Ligjvënësit e mbajnë mend mirë se Kryeministri Britanik ishte ndër udhëheqësit e parë të huaj që u shprehu ngushëllime amerikanëve pas 11 shtatorit.

Në janar të vitit 2002 ai ishte i pranishëm ne fjalimin e parë të presidentit drejtuar vendit, pas sulmeve terroriste. Ligjvënësi Peter Gold, autor i një rezolute për ti dhënë zotit Blair Medaljen e Kongresit kujton:

“Atë natë presidenti Bush tha: jemi mbledhur përsëri bashkë për një çështje të madhe dhe ndjehemi të nderuar për faktin që kryeministri Blair kapërceu oqeanin për të shprehur solidaritetin e tij me Amerikën. Mirë se edhe mik. Në të vërtetë zoti Blair është mik i Shteteve të Bashkuara por edhe mik e përkrahës i vlerave demokratike. Ai i njeh shumë mirë lidhjet e veçanta mes Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë, madje mes Shteteve të Bashkuara dhe Evropës, tha Presidenti, sipas kujtimeve të kongresmenit John King.”

Por ka javë që zoti Blair po i nënshtrohet një trysnie intensive. Hetuesit e qeverisë po përpiqen të përcaktojnë natyrën e informacioneve të zbulimit që u përdorën për të justifikuar luftën në Irak.

Në debatin e zhvilluar në Dhomën e Përfaqësuesve lidhur me pritjen që do t’i bëhej zotit Blair, ligjvënësit e vlerësuan atë për rolin udhëheqës në arritjen e një marrveshjeje për paqe në Irlandën e veriut si dhe për rolin e tij në luftën kundër terrorizmit apo në luftrat në Afganistan dhe Irak.

Megjithatë disa ligjvënës propozuan që atij të mos i jepet Medalja e Kongresit tani që rreth tij po bëhen hetime për çështjen e Irakut, pasi sipas tyre, kjo do të dukej si përpjekje për të mbështetur një politikan që ndodhet në vështirësi. Kongresmeni demokrat nga shteti Massachussetts, Ed Markey, thotë se zoti Blair ka meritën se veproi si forcë moderuese në muajt që i paraprinë luftës në Irak. “Pa këmbënguljen e kryeministrit Blair, presidenti Bush nuk do t’u ishte drejtuar Kombeve të Bashkuara. Ishte pra zoti Blair i cili e kushtëzoi përkrahjen e tij, me atë që Shtetet e Bashkuara të kërkonin një votim në OKB për çështjen e Irakut. Për këtë ai ka një meritë të jashtëzakonshme, tha zoti Markey.” Në prag të vizitës së zotit Blair, ligjvenësi Markey dhe 40 demokratë të tjerë i dërguan një letër presidentit Bush. Ata thonë se presidenti Bush duhet të kërkojë nga zoti Blair të gjitha dokumentet që kanë të bëjnë me të ashtuquajturën blerje të uraniumit nga Afrika nga ana e Irakut. Kjo do të ishte, sipas tyre, një mënyrë që dy udhëheqësit të dalin hapur para amerikanëve dhe para botës.

Para se të nisej nga Londra, zoti Blair përsëri mori në mbrojtje saktësinë e informacioneve britanike të zbulimit lidhur me përpjekjet irakiane për blerjen e uraniumit. Ai tha se Britania kishte informacione bindëse, të ndryshme nga informacionet e tjera. Ligjvënësit presin që fjalimi i kryeministrit Blair të përqendrohet në lidhjet e qendrueshme mes dy vendeve dhe në nevojën për të vazhduar përpjekjet në Irak, Afganistan dhe në luftën kundër terrorizmit.

Përsa i përket medaljes së artë të Kongresit, ajo nuk do t’i jepet kryeministrit Blair gjatë kësaj vizite, siç mendonin shumë njerëz. Duhen disa muaj për të përgatitur medaljen. Gjithashtu rezoluta e miratuar nga kongresi sapo i është dërguar presidentit për nënshkrim. Zyrtarë të kongresit thonë se kryeministri ndoshta do të vijë këtë vit për një vizitë tjetër për të marrë medaljen. //kk//

XS
SM
MD
LG