Lidhje

Plutoniumi: dilemat mbi kërcënimin dhe potencialin industrial të këtij elementi - 2003-07-18


Disa shkencëtarë e quajnë plutoniumin, përbërësin kryesor të armëve bërthamore, një thesar të terroristëve. Peshon pak, i fuqishëm dhe kompakt, ky material mund të fshihet nën ndenjësen e një makine. Plutoniumi që mund të përdoret për armët gjendet me shumicë - disa qindra tonelata në mbarë botën. Shtetet e Bashkuara dhe Rusia kanë vendosur të djegin sasinë e tepërt të plutoniumit në reaktorët e tyre bërthamorë, por kritikët thonë se kjo mund t’i shtojë rreziqet në vend që t’i pakësojë ato. Plutoniuimi ka pasur një histori të pasur në shekullin 20. Ka qenë përbërësi kryesor i bombës bërthamore që u hodh në Nagasaki të Japonisë, ku humbën jetën 75 mijë veta dhe 75 mijë të tjerë mbetën të plagosur. Richard Garvin, pjesmarrës në ndërtimin e bombës së parë amerikane me hidrogjen, shpreson që plutoniumi të mos jetë aq i kërkuar në shekullin 21 siç ishte në shekullin që lamë pas. Ai thotë se terroristëve do t’u duheshin vetëm 5 kilogramë për të prodhuar një bombë si ajo që u hodh në Nagasaki.

“Unë kam mbajtur në duart e mija dy gjysmësfera të njejta me ato që përbënin bombën e cila u hodh në Nagasaki. Këto gjysmësfera janë të mbështjellura me nikel dhe rrezatimi që lëshon plutoniumi brenda tyre është thuajse i tëri grimca të vogla alfa të cilat nuk depërtojnë në lëkurën e njeriut. Prandaj plutoniumi mund të lëvizet, mund të vidhet dhe të përdoret pa ndonjë rrezik për personin që e bën këtë,” thotë zoti Garvin.

Zoti Garvin nuk merret më me prodhimin e bombave por ai është një ndër ata që paralajmërojnë për rreziqet që paraqet rënia e plutoniumit në duar të gabuara.

“Një bombë e vetme bërthamore prej një kilotoni do të mund të vriste disa qindra mijëra njerëz nëse do të hidhej në një qytet amerikan. Dhe ja se si mund të bëhej: do të futej në vend fshehurazi dhe do të shpërthehej në një pjesë të frekuentuar të qytetit në një kohë kur aty do të kishte shumë njerëz. Ne duhet të eliminojmë plutoniumin e tepërt për të shmangur një rrezik të tillë,” thotë zoti Galvin.

Por kjo nuk është e lehtë. Ndryshe nga uraniumi, një përbërës tjetër i bombave bërthamore i cili mund të varfërohet deri në një shkallë që nuk do të paraqiste rrezik, plutoniumi nuk mund të dobësohet. Në të gjtha format e tij, ky element mund të përdoret për bomba bërthamore. Matthew Bunn, ish këshilltar i presidentit Klinton thotë se nuk ekziston një zgjidhje e përsosur nga ky rrezik. Plutoniumi është një material me jetëgjatësi prej 24 mijë vjetësh. Zoti Bunn, studiues në universitetin e Harwardit, thotë se qëllimi kryesor është për ta bërë plutoniumin të papërdorshëm për armë bërthamore. Por problemi është se ky element, më i rrëzikshmi i zbuluar nga mendja njerzore ndonjëherë, mund të përdoret edhe për prodhimin e energjisë elektrike.

Ato vende të cilat e shohin plutoniumin si prodhues potencial të energjisë, si Franca, Japonia dhe Rusia, bëjnë transformimin e plutoniumit në lëndë bërthamore i cili pastaj përdoret për prodhimin e energjisë elektrike. Por kritikët thonë se përdorimi i plutoniumit për këtë qëllim nuk është me shumë përfitim, sidomos pas gjetjes së rezervave të reja të uraniumit dhe sepse dihet se teknologjia e përdorimit të plutoniumit është shumë e shtrenjtë. Shqetësimi tjetër është se ripërpunimi i plutoniumit do të rriste sasinë e kësaj lënde në sektorin privat. Rick Leventhal i cili punon në Institutin për Kontroll Bërthamor në Washington, thotë:

“Tani për tani, ka disa mijëra tonelata rezervash plutoniumi në formën e shufrave radioaktive të harxhuara por me nivel të lartë rrezatimi. Po të vazhdojë ripërpunimi i lëndeve bërthamore, ka rrezik që sasia e plutoniumit në sektorin privat ta arrijë sasinë që ka sektori ushtarakm,” thotë zoti Leventhal.

Që nga vitet ’70, Shtetet e Bashkuara e kanë ndaluar ripërpunimin e plutoniumit por disa analistë janë të shqetësuar se Amerika mund ta ndryshojë këtë politikë. Ata theksojnë një projekt në të cilin Shtetet e Bashkuara dhe Rusia planifikojnë përdorimin e 34 tonalatave të plutoniumit të tepërt ushtarak për nevoja të energjetikës. Kjo ka alarmuar analistët të cilët thonë se kjo kushton shtrenjtë - rreth 4 miliardë dollarë. Frika tjetër është se do t’u jipte më tepër mundësi trafikantëve të materialeve bërthamore për të vjedhur sasi të këtij materiali. Siç thotë zoti Bunn i Universitetit të Harwardit, fillimisht Shtetet e Bashkuara dëshironin groposjen e një sasie të plutoniumit nga Rusia dhe Shtetet e Bashkuara. Por kjo u kundërshtua nga Rusët të cilët e konsiderojnë plutoniumin si thesar shtetëror. Rusia vendosi për djegien e plutoniumit dhe Shtetet e Bashkuara u detyruan të pajtoheshin me këtë vendim, për të pasur të paktën një kontroll relativ mbi plutoniumin rus. Alternativa do të ishte që Rusia ta ruante këtë plutonium në formën e rrezikshme të lëndës bërthamore për prodhimin e armëve.

Programi i djegies së plutoniumit është hapi i parë i Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë drejt eliminimit të tij. Tani për tani, alternativa e prodhimit të energjisë elektrike nga ky material ka fituar ndaj asaj të groposjes. Mbetet të shihet se çdo të bëhet me rezervat tjera. A do të groposen, digjen apo të bien ato në duart e terroristëve?

//ad//

XS
SM
MD
LG