Lidhje

Arkitektë nga 62 vende paraqesin projekte për memorialin e 11 shtatorit - 2003-07-18


Pjesëmarrës në konkurs nga 62 vende dorëzuan projektet e tyre për një memorial në nderim të viktimave të sulmeve terroriste të vitit 2001 dhe të një sulmi të mëparshëm në Qendrën Botërore të Tregëtisë më 1993.

Zyrtarë nga Korporata për Zhvillimin e Manhatanit të Poshtëm, e cila mbikqyr projektin, e quan përgjigjen të jashtëzakonshme. Ata thonë se 5 mijë e 200 projekte nga 49 shtete të Amerikës dhe 62 vende, që nga Shqipëria e deri tek Venezuela, e kanë shndërruar këtë konkurs në më masivin në histori.

Një juri prej 13 anëtarësh: artistë, arkitektë, banorë të Manhatanit të Poshtëm dhe familjarë të viktimave, do të vlerësojë se si secili nga projektet e shpreh mesazhin e shpallur në konkurs dhe do të përzgjedhë 5 finalistë. Anna Cotina është nën-presidentja e Korporatës për Zhvillimin e Manhatanit të Poshtëm.

“Juria, thotë ajo, do të zgjedhë një projekt që do të përkujtojë përgjithmonë jetët e humbura aq tragjikisht dhe të shërbejë si shprehja më e artikuluar e triumfit ndaj djajve të terrorit”.

Më pas juria do t’u kërkojë finalistëve t’i përsosin edhe më tej projektet e tyre. Fituesi pritet të shpallet në tetor. Korporata për Zhvillimin e Manhatanit të Poshtëm ka shpresuar se do të mund të zgjidhte një projekt të memorialit deri më 11 shtator me rastin e përvjetorit të dytë të sulmit të vitit 2001, por vendosi të mos nxitonte procesin.

Memoriali do të vendoset në vendin ku ngriheshin dy kullat binjake. Një konkurs i mëparshëm ndërkombëtar ka përcaktuar tashmë projektin për përpjekjet e rindërtimit në atë zonë.//kk//

XS
SM
MD
LG