Lidhje

Nano: fushata zgjedhore nuk do të dobësojë punën e administratës - 2003-07-18


Kryeministri Fatos Nano deklaroi të premten se qeveria nuk do të lejojë uljen e ritmit të reformave për shkaqe që lidhen me fushatën e zgjedhjeve të afërta për pushtetin vendor.

Ai tha gjatë një mbledhjeje qeverie për analizën e punës 6-mujore se administrata shtetërore ka ende shumë punë për të bërë në plotësimin e treguesve të reformave të kërkuara nga institucionet përëndimore, ku Shqipëria synon të integrohet.

“Vendi ka nevojë për një shtet ligjor edhe më të fortë, ka nevojë për më shumë investime, vende pune dhe mirëqenie. Fëmijët kanë nevojë për shkolla më të mira, ndërsa sistemi i shëndetit publik për më shumë reforma dhe rezultate. Ekonomia dhe familjet shqiptare kanë ende nevojë për më shumë energji, më shumë siguri, më shumë drejtësi. Beteja me korrupsionin, abuzivizmin, trafiqet dhe krimin e organizuar ende nuk ka përfunduar”,, tha zoti Nano.

Kryeministri Nano tha se qeveria i njeh me hollësi nevojat e qytetarëve për ekonominë, infrastrukturën, dhe mbrojtjen sociale, dhe po përpiqet t’i plotësojë ato sa më shpejt.

Disa institucione ndërkombëtare kanë shprehur shqetësim kohët e fundit për uljen e ritmit të reformave në Shqipëri.

Gjatë kësaj jave Tiranën e vizituan tre delegacione; një delegacion i lartë i NATO-s i kryesuar nga sekretari i përgjithshëm Xhorxh Robertson, një delegacion i BE-së për raundin e tretë teknik për bisedimet rreth marrëveshjes së stabilizim-asociimit, si dhe një mision i FMN. Këto dhe të gjithë delegacionet e tjera u kërkojnë autoriteteve shqiptare në mënyrë të vazhdueshme ruajtjen e stabilitetit ekonomik, rritje konstante ekonomike, luftë kundër krimit të organizuar, trafiqeve e korrupsionit si dhe plotësimin e kushteve për integrim në strukturat euro-atlantike.//kk//

XS
SM
MD
LG