Lidhje

Trupi i gjetur në Britani, mund të jetë i një eksperti të armëve - 2003-07-18


Policia në Britani mendon se ka gjetur trupin e një shkencëtari të Ministrisë së Mbrojtjes, i cili ka qenë një figurë qendrore në informatat lidhur me programin irakian të armëve të shkatërrimit në masë.

Personi ishte cilësuar si burimi i mundshëm i një njoftimi të BBC-së që pretendonte se qeveria britanike e kishte ekzagjeruar kërcënimin e armëve irakiane.

Ai mohoi të ketë qenë burimi dhe këtë javë një komision i parlamentit britanik tha se nuk ka të ngjarë që informatat të kenë dalë prej tij. Policia ka gjetur trupin e një individi, që përkon me përshkrimin e shkencëtarit në afërsi të banesës së tij në rrethinat e Londrës. Eksperti i armëve biologjike David Kelly u zhduk dje, dy ditë pasi iu përgjigj pyetjeve të një komisioni parlamentar.

Ligjvënësit arritën në përfundimin se kishte të ngjarë që ai të mos ishte burimi kryesor i një njoftimi të BBC-së i cili pretendonte se qeveria e kryeministrit Tony Blair i kishte ekzagjeruar të dhënat e shërbimeve të zbulimit për të justifikuar luftën kundër Irakut.

Richard Ottaway, anëtar i komisionit dhe përfaqësues i partisë konservatore të opozitës, thotë se vdekja e shkencëtarit ngre një numër pyetjesh për integritetin e qeverisë së kryeministrit Blair dhe në veçanti për mënyrën se si ishte trajtuar Dr. Kelly: “Mendoj se zhvilluam një sesion të drejtë me pyetje përgjigje me të, dhe në fakt na vinte keq për të. Por mbi të gjitha më lëndon fakti se dukej qartë që ai ishte përdorur nga qeveria dhe Ministria e Mbrojtjes në këtë situatë”.

Në qendër të debatit është pretendimi i qeverisë se Sadam Huseini mund të aktivizonte armët e shkatërrimit në masë brenda 45 minutash. //kk//

XS
SM
MD
LG