Lidhje

Brigadat e Martirëve Al-Aksa liroi një guvernator palestinez, që e kishte rrëmbyer po sot - 2003-07-19


Një grup ekstremist palestinezë tha se e liroi guvernatorin palestinez të distriktit të Jeninit, pas ndërhyrjes së presidentit palestinez, Jaser Arafat.

Haider Irsheid u rrëmbye sot në mes të ditës nga anëtarë të grupit Brigadat e Martirëve Al-Aksa. Ai u rrah në rrugë dhe pastaj u tranportua në një kamp refugjatësh të qytetit, ku ai u mbajt për një kohë të shkurtër.

Brigadat e Martirëve Al-Aksa është një grup i armatosur i lëvizjes Fatah të udhëheqësit palestinez, Jaser Arafat.

Udhëheqësi lokal i grupit ekstremist tha se guvernatori u lirua pasi zoti Arafat dha urdhër drejtëpërdrejtë për lirimin e tij. Ai shtoi se grupi i tij nuk i vë në pikpyetje udhëzimet e zotit Arafat.

Nuk ka ndonjë informacion lidhur me gjendjen e zotit Irsheid në kohën e lirimit të tij.

Më parë, udhëheqësit ekstremistë e akuzuan guvernatorin për bashkëpunim me Izraelin dhe kërkuan që zoti Irsheid të gjykohet nga Autoriteti Palestinez për ato që ekstremistët i cilësuan si krime kundër popullit palestinez.

Muajin e kaluar, ky grup u bashkua me organizata të tjera kryesore ekstremiste palestineze për të ndaluar për 3 muaj sulmet kundër izraelitëve.

Rrëmbimi i sotëm përkon me njoftimet e disa gazetave izraelite, që shkruajnë se kryeministri, Ariel Sharon, është duke shqyrtuar mundësinë e lirimit të disa të burgosurve palestinezë, që janë anëtarë të dy grupeve ekstremiste islamike, Hamas dhe Xhihadi Islamik.

Në numrat e tyre të djeshëm gazetat shkruanin se zoti Sharon po shqyrton mundësinë e lirimit të rreth 60 ekstremistëve, të cilët nuk kanë marrë pjesë në sulme terroriste kundër Izraelit. Lirimi i ekstremistëve do të ishte një shenjë mirëbesimi, në prag të takimit që zoti Sharon do të zhvillojë nesër me kryeministrin palestinez, Mahmud Abas.

//ze//

XS
SM
MD
LG