Lidhje

Tiranë: socialistët nisin debatet për dorëheqjet e dy ministrave - 2003-07-20


Dorëheqjet e zëvendëskryeministrit e ministrit të jashtëm, Ilir Meta, dhe atij të integrimit, Sokol Nako, e kanë vënë në vështirësi Partinë Socialiste e qeverinë e saj. Është një fundjavë e tensionuar në zyrat e socialisëve, që po përpiqen të shpjegojnë shkaqet e dorëheqjeve si dhe të kërkojnë kandidatë për ministra të rinj në krye të diplomacisë dhe integrimit.

Sipas punonjësve të administratës së saj, kryesia e PS do të mblidhet në fillim të javës e, po ashtu, do të ketë edhe një mbledhje të grupit parlamentar socialist. Brenda një harku kohor fare të shkurtër, ata duhen të zgjidhin një sërë problemesh të ndërvarura nga njëri-tjetri. Përkrahësit e zotit Meta po zhvillojnë takime mes tyre se si do të reagojnë në situatën e re politike. Pesha e tyre është e ndjeshme në parlament, në komitetin Drejtues, në kryesi dhe degët e rretheve.

Parlamenti i mbyll punimet pas 9 ditësh, kohë, kur duhen zëvendësuar ministrat e dorëhequr, ndërsa brenda pesë ditësh socialistët duhet të kenë gati listën e plotë të kandidatëve për bashkitë dhe komunat, proces që po ndikohet nga zhvillimet politike në kryeqytet.

Sipas politikanëve socialistë dhe analistëve të shtypit, kryesia dhe grupi i deputetëve socialistë duhet të zgjidhin njëkohësisht tri çështje: debatet mbi dorëheqjen nga qeveria të njërit prej politikanëve kryesorë të PS-së, miratimin e vështirë të ndryshimeve të reja në qeveri për shkak të tensioneve, si dhe përgatitjet për zgjedhjet vendore, fushata e të cilave po afron me shpejtësi, ndërkohë që po u kushtohet një rëndësi e madhe nga opozita.

Përfaqësues të partive kryesore opozitare kërkuan dorëheqjen e vetë kryeministrit Fatos Nano dhe ndërtimin e një qeverie të re me miratim të gjerë politik të partive, nën kujdesin e konsultimet e presidentit Moisiu, ç’ka do të thoshte afrim i zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Por presidenti Moisiu, nga ana tjetër, ka dekretuar tashmë 12 tetorin si datën e mbajtjes së zgjedhjeve vendore.

Kryeministri Nano është i vetmi që shfaqet i qetë në publik, ndonëse mbi të drejtohen kritikat e rivalëve, akuzat e opozitës dhe tensionet brenda vetë socialistëve. Kandidat kryesor për t’u rizgjedhur në postin e kryetarit të PS-së në kongresin dhjetorit, zoti Nano dëshiron të lërë përshtypjen e administrimit të plotë të gjendjes në qeveri dhe parti duke u përpjekur t’u risjellë palëve unitetin dhe qetësinë e humbur qysh prej së paku një viti. //az//

XS
SM
MD
LG