Lidhje

Irak: dy ushtarë amerikanë vriten në një sulm - 2003-07-20


Zyrtarë ushtarakë amerikanë thonë se të dielën, më 20 korrik, nga një sulm në Irakun verior u vranë 2 ushtarë të tjerë amerikanë. Ndërkohë në një sulm tjetër të ngjashëm kundër një autokolone ndihmash në periferi të kryeqytetit irakian u plagos një punëtor ndihmash i Kombeve të Bashkuara.

Dy ushtarët amerikanë humbën jetën dhe një i tretë u plagos kur autokolona e tyre u sulmua me armë të vogla dhe granada. Ndërkohë, në qytetin e shenjtë mysliman shiit të Naxhafit, mijëra demonstrues u mblodhën në mbështetje të një kleriku me ndikim, i cili ka kritikuar ashpër ndërhyrjen e forcave amerikane në Irak.

Persona të panjohur sulmuan me armë të vogla dhe granada një autokolonë të ushtrisë amerikane në qytetin Tall Afur, paksa në perëndim të Mosulit, në pjesën veriore të Irakut të mbizotëruar nga popullata kurde.

Tre prej ushtarëve, të gjithë anëtarë të Divizionit 101 të Forcave Ajrore, u plagosën nga ky sulm, dhe dy prej tyre më vonë vdiqën në spital. Ushtria nuk njoftoi për viktima mes sulmusve.

Incidenti është më i fundit në një seri sulmesh të stilit gueril me armë të vogla dhe granada, nga të cilët janë vrarë 37 ushtarë amerikanë, që prej përfundimit të luftimeve kryesore më 1 maj.

Në një sulm tjetër, një autokolone me punëtorë ndihmash nga Organizata Ndërkombëtare për Migrimin iu zu pritë.

Një zëdhënës i kësaj organizate tha se një shofer irakian u vra, ndërsa një punëtor australian ndihmash u plagos.

Prita u zu ndërkohë që autokolona, që po udhëtonte së bashku me automjete të Organizatës Botërore të Shëndetsisë, ndodhej në një rrugë të qytetit historik të Hillas, 100 kilometra në jug të Bagdadit.

Më në jug, në qytetin e shenjtë shiit të Naxhafit, disa mijëra demonstrues dolën nëpër rrugë për të protestuar kundër keqtrajtimit, sipas tyre, nga trupat amerikane të një kleriku të shquar shiit. Të shtunën, për dy orë, forcat amerikane mbajtën të rrethuar shtëpinë e Muktada al-Sadrit, një prej 3 udhëheqësve kryesorë shiitë.

Njoftimet e gabuara se forcat e koalicionit kishin arrestuar zotin Sadr shkaktuan një protestë më të vogël të shtunën në Bagdad. //ad//

XS
SM
MD
LG