Lidhje

UNMIK-u dhe KFOR-i thonë se shpërthimet  më të fundit drejtohen kundër sistemit të drejtësisë - 2003-07-22


Zyrtarët e Misionit të Kombeve të Bashkuara dhe të forcave paqëruajtëse thanë se shpërthimet e fundit në Prishtinë, sikundër edhe disa incidente të tjera në vende të ndryshme, janë të drejtuara kundër sistemit të drejtësisë në Kosovë; por, ata tërhoqën vërejtjen se nuk do të lejojnë që këto incidente të dëmtojnë përparimin e arritur gjatë viteve të fundit.

Zëdhënësi policisë së Kombeve të Bashkuara Derek Çepëll, tha sot se ende nuk dihet kush qëndron para këtyre sulmeve dhe se deri tani, askush nuk ka marrë përgjegjësinë për to: “Ata nuk janë veçse banditë, që përpiqen të pengojnë një sistem të drejtë të drejtësisë, por nuk do të arrijnë ta bëjnë këtë”, -tha zëdhënësi Çepëll.

Ndonëse ende nuk ka ndonjë dëshmi të qëndrueshme, policia mendon se shpërthimet e fundit kanë lidhje me dënimin e katër pjestarëve të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës javën e kaluar, nën akuzat për krime lufte.

Shpërthimet janë dënuar fuqishëm edhe nga forcat paqëruajtëse, të udhëhequra nga NATO-ja. Zëdhënësi Geri Benister Grin, tha se KFOR-i u bën thirrje qytetarëve që të ndihmojnë, sipas fjalëve të tij, “Për mënjanimin e elementeve ekstremiste, nëse nuk duan të lejojnë që të sundohen prej tyre. Çdo sulm mbi organet e rendit, paraqet sulm mbi KFOR-in dhe bashkësinë ndërkombëtare. Forcat paqëruajtëse do të punojnë së bashku me policinë, në mënyrë që këta ekstremistë dhe kriminelë që qëndrojnë prapa sulmeve të mos kenë sukses. Kosova ka bërë rrugë të gjatë në katër vitet e fundit por ende ka elemente që nuk duan të shohin përparimin, demokracinë dhe drejtësinë. Ata jetojnë me të kaluarën dhe dëmtojnë të ardhmen. KFOR-i është i përkushtuar për të mënjanuar këto elemente”, theksoi zëdhënësi i paqëruajtësve, Gary Bannister Green.

Shpërthimet janë dënuar edhe nga institucionet dhe partitë politike të Kosovës, të cilat i kanë cilësuar ato, si veprime kundër së ardhmes së saj. Megjithë incidentet e fundit, zyrtarët e policisë së Kombeve të Bashkuara, thanë se shkalla e krimit në Kosovë ka shënuar një rënie të vazhdueshme, dhe se ajo mund të krahasohet me disa nga vendet më të zhvilluara në Evropë. Duke e krahasur Kosovën me kryeqytetin e Suedisë Stokholmin, zyrtarët thanë se shkalla e krimit këtu dëshmon se qytetarët e Kosovës dëshirojnë ndërtimin e një shoqërie të bazuar në sundimin e ligjit…// lk //

XS
SM
MD
LG