Lidhje

Dorëheqja e Metës dëmton rëndë Partinë Socialiste, Intervistë me analistët Fatos Lubonja dhe Andi Bushati - 2003-07-22


Zëri i Amerikës : Zoti Lubonja, sa e thellë duket përçarja në gjirin e Socialistëve. Duket se kësaj rradhe janë mbyllur rrugët e kompromisit ndërmjet dy franksioneve që mbështesin Kryeministrin Nano dhe zotin Meta në parti.

Fatos Lubonja : Mendimi im në tërësinë e vet është se këtu kemi të bëjmë me një korruptim që i bën pushteti secilit dhe në rastin konkret kësaj partie mbas 6 apo 7 vitesh në pushtet, një proçes korruptimi si për sa i përket në nivelin e partisë, në nivelin e grupimeve, ashtu edhe për sa i përket individëve në krye të partisë. Pra në këtë proçes që ka bërë që t’i humbasi kredibiliteti vazhdimisht Partisë Socialiste, që lidhet kryesisht me korrupsionin dhe lidhjeve me krimin, kemi gjithmonë njerëz që ndjehen keq nga kjo luftë, qoftë nga kjo luftë që bëhet brenda llojit, qoftë edhe kur shikojmë një anije që po mbytet. Kështu që mendimi im është që kemi të bëjmë me një krizë të rëndë morale dhe politike, qoftë të Partisë Socialiste në tërësinë e vet, qoftë të lidershipit të partisë dhe veçanërisht të Kryeministrit Nano, i cili sipas mendimit tim, nga ç’po shikojmë edhe këto momentet e fundit të trajtimit që po i bën partisë, ka pak sindromën e Kaligulës. Nuk e di nëse e dini, por Kaligula mori kalin e tij dhe e bëri senator për t’ju treguar të tjerëve që ju nuk vleni as sa kali im, do me thënë senatorëve të tjerë. Nga kjo pikëpamje kemi një delir të madh të Nanos, i cili ka filluar të trajtojë shumë keq bashkëpunëtorët e tij. Ka filluar të mos pranojë afër tryezës së tij as gazetarët të cilët kanë luftuar që zotëria të dalë nga burgu. Kemi të bëjmë me një proçes degradimi për shkak të pushtetit qoftë të Partisë Socialiste, qoftë të lidershipit. Ky është thelbi i çështjes sipas meje.

Zëri i Amerikës : Zoti Bushati, a do të arrijë Partia Socialiste t’a kapërcejë këtë krizë të thellë që përmendi zoti Lubonja? Apo dorëheqja e zotit Meta është vetëm fillimi i një proçesi më të thellë që mund të çojë në një ndarje të mundshme të partisë në të ardhmen?

Andi Bushati: Unë nuk besoj në një ndarje të mundshme të Partisë Socialiste sepse në 12 vitet e historisë së saj, socialistët kanë treguar që më mirë gjejnë zgjidhje edhe të këqija për vendin, por që i mbajnë ata ose në pushtet, ose kur janë në opozitë të bashkuar. Ndërsa për pjesën e dytë, për lëvizjen e zotit Meta, unë mendoj se zoti Meta nga gjithë kjo betejë, për momentin ka dalë i humbur. Ai ka humbur të gjithë spaletat dhe ofiqet. Ka humbur mundësinë e të qënurit një rival i denjë i zotit Nano në luftën brenda partisë. Por ndërkohë zoti Meta ka fituar në pikën, ku më tepër se një faktor politik, është bërë një pasqyrë, ku Partia Socialiste mund të shohë krizën e madhe në të cilën është mbërthyer dhe ku ka rënë. Dhe kjo jo vetëm për Kryeministrin aktual zotin Nano, por edhe për një sërë figurash të kësaj partie, të cilat, duke u përpjekur të ruajnë statu-kuonë, në një farë mënyre janë bërë pjesë ose bashkëngjitur me sukseset, ose më shumë do të thosha me mossukseset e qeverisjes së zotit Nano. Pra në këtë pikë, mund të themi që edhe suksesi dhe dështimi tashmë i takon jo vetëm zotit Nano por edhe Kryeministrit të vendit, kryesisë së Partisë Socialiste edhe forumeve të saj. Kjo lëvizje do të bëjë që socialistët të mos kenë më mundësinë për asnjë zgjidhje brenda vetvetes nëse zoti Nano ashtu si edhe herët e tjera dështon edhe këtë rradhë.

Zëri i Amerikës : Zoti Lubonja, në komentet që sapo bëtë pak më parë ju shprehnit dyshim të thellë në aftësinë e socialistëve për të qeverisur vendin. A keni besim se kjo parti do të vazhdojë të qeverisë vendin?

Fatos Lubonja : Jam dakort me çfarë tha kolegu Bushati, pra që lëvizja e Metës mund të ishte shansi i fundit i Partisë Socialiste për të krijuar një lloj alternative të besueshme, ndoshta mund të themi edhe për të mashtruar edhe një herë publikun shqiptar. Dinamika brenda Partisë Socialiste ka krijuar edhe besimin gjatë këtyre viteve. Edhe për katarsisin që filloi zoti Nano, pati një lloj mbështetjeje. Diçka ndoshta u lëviz në drejtim të ndarjes së politikës nga krimi atëherë, por përsëri ra, sepse janë struktura të tjera që e tërheqin politikën drejt krimit dhe njëkohësisht është pushteti dhe deliret e pushtetit që i tërheqin politikanët drejt degradimit. Do me thënë janë dy fenomene. Nga kjo pikëpamje, mendoj se sikur lëvizja e Metës të ishte bërë në një kohë tjetër, domethënë në një kohë kur nuk do të ishin zgjedhjet lokale, të cilat gjithsesi i bashkojnë socialistët qoftë edhe në të keqe, në qoftë se mund të shprehem kështu, pra, atëherë jam i bindur se kjo lëvizje do të kishte shumë më tepër mbështetje brenda Partisë Socialiste dhe mund të ishte një shans. Por koha që ka zgjedhur Meta për arsye që ndoshta e kapërcejnë minutazhin për të analizuar se pse e ka nisur tani, pra, koha që ka zgjedhur Meta bën që një pjesë nga njerëzit e Partisë Socialiste, që janë tashmë të tejlodhur me këtë lloj qeverisjeje të mos bashkohen me Metën dhe kështu që socialistët në tërësinë e vet do të humbasin një shans ndoshta të fundit për të krijuar edhe një herë një lloj kredibiliteti për të lëvizur sadopak përpara. Në këtë kuptim mendoj që i mbetet alternativës së opozitës, e cila ka problemet e veta të mëdha, të mund të na krijojë një shpresë, por edhe ajo ka shumë probleme brenda vetes që duhet t’i kapërcejë dhe duhet të ndërtojë koalicione më të besueshme. Mendoj se socialistët do të qeverisin pa dyshim, por në këtë lloj qeverisjeje pak gjëra pozitive shikoj. Shikoj një dëshpërim të madh dhe të përgjithshëm dhe një degradim. Ekonomikisht e shoh vendin në rënie.

Zëri i Amerikës : Zoti Bushati, në pamje të parë duket se Kryeministri Nano po e konsolidon pushtetin në qeveri dhe parti. Largimi i rivalit të tij kryesor, a rrezikon t’a kthejë qeverisjen e Kryeministrit Nano në një pushtet autoritar?

Andi Bushati: Përvoja është që në Shqipëri në dekadën e fundit pushtetet autoritare janë rrëzuar shumë shpejt. Kjo është pikëpamja e parë. Pikëpamja ime e dytë është që nuk mund të flitet për një konsolidim të qeverisjes së zotit Nano, sepse nuk mund të flitet vetëm për rritjen e fuqisë së tij brenda kabinetit të njerëzve që ai ka mbledhur dhe brenda kryesisë së partisë. Unë do të nënkuptoja një fuqizim të qeverisjes së zotit Nano kur produktet e saj të shiheshin në terren. Në një vit e pak qeverisje që po bën zoti Nano, unë e kam të vështirë të gjej qoftë edhe një rezultat pozitiv. Për mua, ashtu si edhe për një pjesë të mirë të shqiptarëve, mendoj se ky është treguesi më i mirë për të kuptuar se sa i fuqishëm është aktualisht zoti Nano.

Zëri i Amerikës : Zoti Lubonja, ndoshta kjo do të ishte një pyetje që vetë zoti Meta mund t’i përgjigjej, por pas largimit të tij si nga qeveria ashtu edhe nga kryesia e partisë, a nuk rrezikon ai që të mbetet mënjanë nga politika?

Fatos Lubonja : Mendoj se rrezikon, por mendoj njëkohësisht që vetëm politikanët që rrezikojnë seriozisht në këtë situatë, mundet të krijojnë diçka të re që të ngjalli shpresën në Shqipëri. Unë nuk e di nëse e ka ose jo këtë dimension Ilir Meta por mendoj se një qëndrim gjoja për hir të unitetit brenda asaj partie, që tashmë si të thuash e ka humbur kredibilitetin totalisht, do të ishte edhe një vdekje e ngadalshme. Kështu, qoftë i larguar, i distancuar përherë nga politika ose nga kjo parti që qeveris kështu, qoftë pastaj për të bërë një lëvizje tjetër të re që nuk e di se sa e ka energjinë dhe mbështetjen, sepse nuk është kollaj të krijosh në Shqipëri një lëvizje të re në këtë situatë, mendoj se guximi për t’u distancuar është për t’u përshëndetur dhe ndoshta për të shpresuar se ai mund të rikthehet në politikë me një frymë të re, ku më në fund siç shpresoj, jo tek Meta, por mendoj në përgjithësi se ka ardhur një moment ku të lindë një klasë politike, ku interesat e vogla meskine të politikanëve ose interesat edhe të pushtetit të tyre të mos jenë në kundërshtim me interesat e vendit siç kanë qënë deri tani, por përkundrazi të jenë një klasë që ka interesat e veta të pushtetit në një kahje me interesat e vendit. A do t’a realizojë Ilir Meta këtë apo jo, është një çështje për t’u parë. Por riskimi ose largimi qoftë edhe në këtë moment tregon që të paktën ka energji për të mos u vënë në nivelin e atyre që barazohen me kalin e Kaligulës.

Zëri i Amerikës : Zoti Bushati edhe një pyetje e fundit për ju. shkurtimisht ju lutem. Në gjithë këto zhvillime që po ndodhin në gjirin e Partisë Socialiste, çfarë mundësish po i krijohen opozitës për të rimmarë veten?

Andi Bushati: Nuk mund të jap një përgjigje të saktë për sa kohë pozita ka kohë që nuk është testuar në një garë elektorale. Një testim për të mund të jenë zgjedhjet e ardhshme lokale dhe kjo do të tregojë edhe se sa të fortë janë socialistët. Kjo do t’i përballë ata edhe me elektoratin për të parë se sa i kanë mbajtur premtimet e tyre, sepse nga premtimet e ardhjes në pushtet të zotit Nano, deri tani unë mendoj se është realizuar vetëm një, që ai do të bënte që qeverija shqiptare të qeverisej nga një grua.

XS
SM
MD
LG