Lidhje

Interneti, “moda” e re e fushatës presidenciale - 2003-07-23


Analistë të zhvillimeve politike në Shtetet e Bashkuara thonë se Interneti po del në skenë si një mjet kryesor për kandidatët e zgjedhjeve presidenciale të vitit të ardhshëm. Ata thonë se interneti po bëhet një instrument i rëndësishëm për grumbullim fondesh, përhapje mesazhesh etj.

Analistët janë gjithmonë në kërkim të prirjeve të reja në arenën politike amerikane dhe përdorimi i internetit për grumbullim fondesh e përkrahjeje është bërë një prej elementeve më të rëndësishëm të fushatës aktuale.

Miliona dollarë po grumbullohen e dhjetra-mijë individë po organizojnë qindra mitingje elektorale në mbarë vendin përmes internetit.

Megjithatë, Allan Lightman, profesor historie në Universitetin Amerikan, thotë se interneti në fushatat elektorale nuk është dukuri krejt e panjohur.

“Duket se është një mekanizëm që ka më shumë efektshmëri në rastin e kandidatëve ‘rebelë’, po të shprehemi kështu, të atyre kandidatëve që, në një farë mënyre nuk bëjnë pjesë në rrymën e zakonshme. Interneti u jep atyre mundësi të kërkojnë përkrahje dhe të grumbullojnë fonde, gjë që në rrugë të tjera nuk do të kishte qenë e mundur”, thotë analisti.

Një kandidat i tillë është Howard Dean, ish-guvernator i shtetit Vermont dhe njëri prej 9 kandidatëve presidencialë të Partisë Demokrate.

Ndërkohë që zoti Dean nuk njihet gjerësisht krahasuar me kandidatët e tjerë, ai i mahniti shumë prej kundërshtarëve të tij, kur, duke përdorur internetin, grumbulloi më shumë fonde se ata gjatë tremujorit të tretë të këtij viti. Profesori i Universitetit George Washington, Michael Cornfield:

“Howard Dean përputhet me prototipin klasik të kandidatit që nuk konsiderohet si ndër kryesorët. Është nga një shtet i vogël, flet troç dhe kjo e bën disi tërheqës për shtypin dhe publikun”.

Profesor Cornfield vlerëson se 120 milionë amerikanë kanë qasje në internet, ndërkohë që 50 milionë prej tyre e përdorin rregullisht atë.

Përkrahës të zotit Dean, përfshirë shumë të rinj në politkën amerikane, janë bashkuar përmes mesazhit të përcjellë nga interneti.

Me lejen e tij, mijëra përkrahës të tij po e përdorin internetin për të diskutuar në lidhje me kandidaturën e tij, për të organizuar veprimtari, për të grumbulluar fonde e, madje, për të propozuar strategji për fushatën.

Ndërkohë që konkurrentët e tjerë demokratë e përdorin internetin për grumbullim fondesh e vullnetarësh, zoti Dean ka sfiduar gjithashtu opinionin e përgjithshëm të politikanëve që fushatat duhet të drejtohen nga afër, prej ekspertësh, përkrahësish të trajnuar me kujdes dhe kandidatësh që përsërisin vetëm mesazhe të menduara mirë.

Ai e inkurajon për veprim ushtrinë e tij të të panjohurve që veprojnë të pambikqyrur. Profesor Lightman thotë se politikanët që janë të gatshëm të pranojnë rrezikun e fushatave të tilla, mund të kenë sukses në bindjen e një përqindjeje të vogël votuesish që ka të ngjarë të marrin pjesë në zgjedhjet paraprake, para se partia të dalë me një kandidat.

Mirëpo, përsa u përket mjeteve tradicionale të fushatës, si mesazhet përmes shërbimit postar apo reklamat televizive, ai thotë se janë shumë më të kushtueshme se interenti, kurse ky i fundit përfshin një publik shumë më të gjerë. Megjithatë, Profesor Lichtman tërheq vëmendjen në faktin se ka ende një numër të madh amerikanësh që nuk kanë qasje në internet.

Ndërkohë që analistët thonë se është ende herët të nxirren përfundime mbi ndikimin real të internetit në fushatat presidenciale, është e qartë se ai përbën një instrument të ri për të përçuar mesazhe tek votuesit dhe një mënyrë të re për t’u ndërlidhur me përkrahësit, gjë e cila me mjete të tjera nuk do të ishte realizuar.//kk//

XS
SM
MD
LG