Lidhje

Bush: ish regjimi irakian ka marrë fund - 2003-07-23


Presidenti Bush tha se forcat amerikane i dhanë fund karrierës së dy prej krye xhelatëve të ish regjimit.

”Djemtë e Saddam Hussein-it ishin përgjegjës për torturimin, gjymtimin dhe vrasjen e irakianëve të panumërt. Tani, më shumë se kurrë, të gjithë irakianët janë në gjendje të dinë se ish regjimi ka marrë fund dhe nuk do të kthehet më,” tha Presidenti Bush.

Këto ishin komentet e para publike të Presidentit lidhur me vdekjen e personave të renditur si numri dy dhe tre në listën amerikane të irakianëve më të kërkuar. Presidenti Bush i bëri komentet në Kopshtin e Trëndafilave të Shtëpisë së; Bardhë në prani të Ambassadorit Paul Bremer, i cili mbikqyr procesin e vendosjes së një qeverie kalimtare në Bagdad.

Presidenti falenderoi zotin Bremer për punën e mirë në çështjen me rëndësi thelbësore, siç e quajti ai, për zbatimin e një strategjie të përgjithshme që do të çonte drejt një të ardhmeje të sigurt dhe të begatë.

”Vendet pjesmarrëse të koalicionit janë të vendosra ta ndihmojnë popullin e Irakut për ta marrë veten nga vitet e tiranisë. Ne jemi të vendosur të ndihmojmë për ndërtimin e një vendi të lirë, demokratik dhe sovran,” tha presidenti.

Presidenti Bush ua hodhi fajin atyre që ai quajti një grusht mbeturinash të ish qeverisë irakiane për sulmet thuajse të përditëshme kundër trupave amerikane. Ai tha se në bashkëpunim me aleatët e Irakut, forcat e koalicionit janë në ofensivë për të shkatërruar ata që sipas tij kanë vënë në shënjestër suksesin duke vrarë kadetët e policisë dhe duke sulmuar ata që ruajnë universitetet, centralet elektrike dhe objektet e naftës.

”Këta vrasës janë armiq të popullit irakian. Ata veprojnë kryesisht në pak zona të vendit dhe kudo që veprojnë po ndiqen dhe do të mposhten,” tha Presidenti Bush.

Kërcënimi i armëve irakiane të shkatërrimit në masë dhe rreziku që këto armë të binin në duar të terroristëve ishin justifikimi kryesor i Presidentit Bush për ndërhyrjen në Irak. Mirëpo megjithëse kanë kaluar 83 ditë që kur ai njoftoi se operacionet luftarake në Irak kishin marrë fund, asnjë nga këto armë nuk është gjetur.

Presidenti Bush thotë se eliminimi i rrezikut që përbënte Iraku në armatosjen e terroristëve, i bën Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre më të sigurtë dhe ndihmon për vendosjen e paqes në Lindjen e Mesme.

”Një Irak i lirë, demokratik dhe paqësor nuk do të kërcënojë Amerikën apo miqtë tanë me armë të paligjshme. Një Irak i lirë nuk do të jetë një terren stërvitjeje për terroristët ose një kanal për furnizimin e tyre me para dhe as do të shërbejë si burim armësh për terroristët të cilët do t’i përdornin ato për të goditur vendin tonë ose aleatët tanë,” theksoi presidenti.

Presidenti Bush tha se Shtetet e Bashkuara kanë marrë përgjegjësi të mëdha për të ardhmen e Irakut nuk janë të vetme në këtë sfidë sepse 19 vendet e tjera të koalicionit kanë në Irak më shumë se 13,000 trupa për stabilizimin e situatës.

Presidenti u bëri thirrje edhe anëtarëve të tjerë të Kombeve të Bashkuara që të mbështesin Këshillin e Përkohshëm administratriv të Irrakut si dhe që të japin para dhe trupa për të ndihmuar në rindërtimin e vendit.//ii

XS
SM
MD
LG