Lidhje

Imigracioni në Bashkimin Evropian ngjall dilema - 2003-07-24


Që nga fillimi i viteve 1990, imigrimi në vendet e Evropës Perëndimore është shtuar jashtëzakonisht, si rezultat i ndryshimeve politike në Evropën Lindore dhe një rritjeje të dyndjes së imigrantëve në vendet jugore të Bashkimit Evropian.

Pak më shumë se 100 kilometra larg brigjeve afrikane, ishulli italian Lampedusa, ndodhet më pranë Tunizisë sesa Italisë kontinentale. Çdo ditë qindra afrikanë nga Tunizia, Libia, Maroku dhe vende të tjera afrikane nisen për në Lampedusa, porta më e afërt për në Bashkimin Evropian. Zyrtarë italianë të imigracionit njoftojnë se rreth 3 mijë imigrantë nga Afrika zbritën në Lampedusa vetëm në muajin qershor. Qindra të tjerë u mbytën në rrugë e sipër.

Emilio Viano, profesor i së drejtës në Universitetin Amerikan, në Uashington, thotë se vija e gjatë bregdetare e Italisë, e bën atë një shesh zbarkimi për një varg imigrantësh të paligjshëm, jo vetëm nga Afrika, por edhe nga Evropa Lindore, Lindja e Mesme dhe bile Azia.

“Mbi të gjitha ne i dimë konfliktet ndërmjet kurdëve dhe turqve, konfliktin e tanishëm në Lindjen e Mesme, Irakun, Afganistanin dhe pika të tjera me trazira, nga ku njerëzit ndiejnë nevojën për t’u larguar. Dhe shumë shpesh Italia, duke qenë e futur në Mesdhe dhe aq pranë Afrikës së Veriut, është një vend shumë tërheqës për zbarkim. Shumë nga imigrantët e paligjshëm vijnë në rrugë tokësore dhe në shumë raste kalojnë nëpër territorin e ish-Jugosllavisë, sepse e dinë që prej aty është shumë e lehtë të hysh në Itali.”

Disa nga këta njerëz ikin nga vendet e tyre për shkak të varfërisë së madhe, të tjerë i tremben shtypjes politike. Në vitin 2002 rreth 25 mijë njerëz hynë në Itali në mënyrë të paligjshme. Që nga ajo kohë autoritetet italiane kanë bërë marrëveshje me disa vende afrikane për t’i ndalur imigrantët para se të nisen. Imigrantë hyjnë edhe në Spanjë, Greqi dhe Austri.

Disa vende evropiano-veriore, sidomos Gjermania, kanë kërkuar krah pune të huaj që nga mbarimi i Luftës së Dytë Botërore, për nevojat e ekonomive të tyre në rritje. Por deri pak kohë më parë këto vende u jepnin vetëm leje të përkohshme pune punonjësve imigrantë, të cilët mendohej se do të qëndronin disa vjet dhe pastaj do të ktheheshin në vendet e tyre. Që këtu edhe emri i tyre Gast Arbeiter, domethënë Punëtor Mysafir në Gjermani.

Klaus Larres, studiues me origjinë gjermane, i cili punon në Bibliotekën e Kongresit, thotë se në përgjithësi qeveria gjermane ka ngurruar t’u japë shtetësinë qytetarëve të huaj, me prejardhje jogjermane.

“Punëtorët mysafirë, të cilët, le të themi se kishin lindur në Turqi dhe imigruan në Gjermani vetëm si punëtorë mysafirë, mbi një bazë të përkohshme, natyrisht nuk kishin lidhje të vërteta gjaku me Gjermaninë dhe për këtë arsye nuk kualifikoheshin për të marrë shtetësinë.”

Por, vë në dukje zoti Larres, as punëtorët mysafirë nuk kishin ndonjë interes të veçantë për të marrë shtetësinë. Mirëpo meqenëse një numër gjithnjë e më i madh vazhduan të qendrojnë në vendin mikëpritës, ata kërkuan ta ndryshojnë statusin e tyre të përkohshëm në të përhershëm. Vitet e fundit Gjermania u ka dhënë shtetësinë gjysmë milioni turqish, numër i vogël ky, po ta krahasojmë me disa miliona turq që jetojnë në Gjermani.

Më se tre milionë nga shtatë milionë e gjymë të huaj që jetojnë në Gjermani, janë myslimanë. Një numër gjithnjë e më i madh xhamish, tregjesh dhe dyqanesh orientale, njerëzish të veshur me rroba joperëndimore dhe shenja të tjera kulturash të huaja, kanë filluar t’ua ndryshojnë pamjen qyteteve të mëdha.

Por ndërsa imigrimi i ligjshëm vështirësohet, imigrimi i paligjshëm duket të shtohet dhe bashkë me të edhe një varg problemesh sociale. Profesori Emilio Viano thotë se prostitucioni dhe trafiku i qenieve njerëzore janë ndër të këqiat më të mëdha të imigrimit të paligjshëm, por ka edhe të tjera.

Nga ana tjetër analistët thonë se Evropa ka shumë nevojë për imigrantë. Megjithë dyndjen e madhe të njerëzve në Bashkimin Evropian, popullsia e kontinentit po pakësohet. Shkalla e lindjeve në shumicën e vendeve evropiane ka rënë aq shumë, saqë kontinenti mund të humbasë deri në 6 përqind të popullsisë së tij në 4 ose 5 vjetët e ardhshëm. Pjesa tjetër e popullsisë po plaket dhe po del nga fuqia punëtore.

Analistët paralajmërojnë se ekonomitë evropiane mund të mbeten në vend në se nuk zëvendësojnë fuqinë punëtore në rënie. Shumë janë të mendimit se vendet e Bashkimit Evropian duhet të rishikojnë politikat e tyre të imigracionit dhe të pranojnë faktin se ata kanë nevojë për imigrantët po aq shumë sa edhe imigrantët kanë nevojë për ta.//kk//

XS
SM
MD
LG