Lidhje

Presidenti Moisiu dekretoi dy ministrat e rinj të qeverisë Nano - 2003-07-24


Presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu, dekretoi sot emërimin e zonjës Ermelinda Meksi në postin e Zëvendëskryeministres dhe Ministre për Integrim, si dhe të zotit Marko Bello në postin e Ministrit të Punëve të Jashtme. Dekretimi u bë me propozim të kryeministrit Fatos Nano, pas dorëheqjeve të ish-Zëvendëskryeministrit Ilir Meta, ish-Ministër i Jashtëm dhe të zotit Sokol Nako, ish-Ministër i Integrimit.

Akti formal i presidentit e fut procesin e ndryshimeve në qeveri në sallën e parlamentit, ku pritet të ketë debate dhe një votim të vështirë, në raporte të brishta të votave të grupimeve të pakënaqura socialiste dhe të mënyrës se si do të reagojnë grupe të ndryshme të opozitës.

Zoti Moisiu i bëri emërimet e reja në Ministrinë e Jashtme dhe në Ministrinë e Integrimit në njëvjetorin e zgjedhjes së tij me konsensus si President i vendit, duke ja shtuar ato një radhe të gjatë ndryshimesh e rindërtimesh të qeverive socialiste kohët e fundit, shumica e të cilave janë diktuar nga konfliktet e brendshme të grupimeve të majta.

Aktualisht, forcat politike janë duke matur fuqitë e tyre me numrin e votave të deputetëve pro dhe kundër dy emërimeve të reja në poste qeveritare të zonjës Meksi dhe të zotit Bello, ndërsa, sipas të dhënave jozyrtare, janë të pritshme vota kundër, apo abstenime edhe prej vetë deputetëve të majtë.

Ndërkohë, Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi sot se opozita do të votojë kundër ministrave të rinj, duke i quajtur ato si vota kundër kryeministrit Nano.

“Kam të dhëna të sigurta se po bëhet një presion i jashtëzakonshëm mbi deputetët e të gjithë grupeve në mënyrë që të grabisë, të imponojë (Nano) votën pro, për një qeveri të dështuar. Jam i sigurtë se opozita e tëra në bllok, edhe ditën e hënë do t’i numërojë votat kundër zotit Nano. Kjo është një votë për Nanon. Kemi me një votë për një kryeministër të dështuar”,- tha zoti Berisha.

Kryeministri Nano ndërmorri këto ditë veprime të vendosura për të kryer zëvendësimet pas dorëheqjeve të papritura të zotërinjve Meta e Nako, duke bindur kryesinë dhe grupin parlamentar për rëndësinë e tyre dhe vlerat profesionale të ministrave të rinj.

Mospajtimet mes tij dhe zotit Ilir Meta morën një pamje krejt tjetër, kur pas dorëheqjes nga qeveria, ky i fundit dha dorëheqjen edhe nga anëtarësia në kryesinë e Partisë Socialiste. Marrëdhëniet e vështira mes tyre, që u tensionuan sërish pak javë para fushatës së zgjedhjeve vendore, vlerësohen nga analistët, ta kenë burimin tek ambicjet e palëve për poste drejtuese në Kongresin e dhjetorit të Partisë Socialiste. // lk //

XS
SM
MD
LG