Lidhje

Bëhen publike fotografitë e kufomave të djemve të Sadamit - 2003-07-25


Sekretari amerikan i mbrojtjes, Donald Rumsfeld, tha se vendosi të publikonte fotografitë me ato që sipas zyrtarëve amerikanë janë trupat e dy djemëve të Sadam Huseinit, për të bindur irakianët se ata kanë vdekur.

Sekretari Rumsfeld tha se është e rëndësishme që populli irakian ta dijë që Kusej dhe Udej nuk do të kthehen më. Ai i bëri këto komente pas publikimit të fotografive ku paraqiten trupat e dy burrave me fytyra të gjakosura.

Presidenti Bush tha se tani më shumë se kurrë më parë, populli irakian mund ta kuptojë se regjimi i mëparshëm ka marrë fund përgjithmonë.

Zyrtarë ushtarakë amerikanë thonë se Kusej dhe Udej u vranë të martën gjatë shkëmbimit të zjarrit me forcat amerikane në qytetin e Mosulit.

Në Bagdad, disa irakianë thanë se fotografitë e publikuara i kishin bindur ata se të dy djemtë e Sadam Huseinit janë vrarë. Mirëpo, të tjerë thonë se fotografitë nuk ishin plotësisht të qarta dhe se e gjithë kjo mund të jetë një mashtrim amerikan.

Të enjten, rrjeti televiziv Al Arabija me bazë në Dubai transmetoi një videokasetë, ku paraqiten persona të armatosur, të cilët thonë se janë pjesë e milicisë Fedajin të Sadam Huseinit dhe zotohen të hakmerren për vrasjen e dy vëllezërve Husein. Edhe tre ushtarë të tjerë amerikanë u vranë të enjten në një pritë në Irakun verior.

Ndërkohë, një zyrtar amerikan tha se ekspertë të zbulimit mendojnë se një kasetë për të cilën thuhet se është regjistruar nga Sadam Huseini ka mundësi të jetë autentike. Stacioni Al Arabija e trenametoi ditën e merkurë kasetën, në të cilën folësi u bën thirrje ushtarëve irakianë të ngrihen kundër forcave pushtuese të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara.//xh//

XS
SM
MD
LG