Lidhje

Një raport nxjerr në pah të metat e zbulimit para 11 shtatorit - 2003-07-25


Një raport i shumëpritur i Kongresit amerikan mbi sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001, rendit në hollësi një numër problemesh në shërbimet amerikane të zbulimit, por nuk veçon ndonjë masë të posaçme që mund t’i kishte parandaluar sulmet.

Raporti i nxjerrë të enjten përqendrohet në të metat e punës së CIA-s dhe të FBI-së, si edhe të burimeve të tjera amerikane të zbulimit. Raporti thekson se agjencitë e zbulimit nuk përfillën paralajmërimet se grupet terroriste po stërvitnin pilotë.

Raporti thekson se asnjë informatë e vetme nuk do të kishte qenë në gjendje të parandalonte sulmet, por agjencitë e zbulimit nuk shfrytëzuan mundësinë për t’u prerë rrugën autorëve të sulmit, duke iu hequr të drejtën të futeshin në vend, duke i mbajtur nën vrojtim ose duke forcuar sigurinë në Shtetet e Bashkuara.

Në raport vihen në dukje probleme si të metat në komunikimin ndërmjet agjencive, mungesa e shkëmbimit të të dhënave ndërmjet FBI-së dhe CIA-s dhe mungesa e një liste qendrore për vëzhgimin e terroristëve. Raporti thekson se FBI-ja ishte më e interesuar në zgjidhjen sesa në parandalimin e krimeve.

Raporti bëhet publik ndërkohë që po ngrihen pyetje lidhur me punën e agjencive amerikane të zbulimit mbi armët irakiane të shkatërrimit në masë. Por në një dëshmi para një komisioni të Kongresit për Zbulimin, ish-drejtori i CIA-s James Woolsey tha se mungesa e bashkëpunimit me grupet irakiane të qëndresës ishte dështimi kryesor që çoi në luftë: “Në vitin 1998 Kongresi miratoi fonde për të punuar me qëndresën irakiane. Departamenti i Mbrojtjes i miratoi këto përpjekje, por Departamenti i Shtetit dhe CIA, në shumë raste, për një arsye ose një tjetër iu kundërvunë atyre. Mendoj se ky ishte dështimi kryesor para fillimit të luftës dhe shumë prej këtyre çështjeve nuk janë diskutuar publikisht”.

Një pjesë e raportit, ku kritikohet Arabia Saudite për mungesën e angazhimit serioz në luftë kundër ekstremistëve islamikë, ende mbetet sekret. Pesëmbëdhjetë nga 19 autorët e sulmeve të 11 shtatorit ishin shtetas sauditë.//kk//

XS
SM
MD
LG