Lidhje

Pauëll shpreh mbështetje për reformat në Serbi dhe Mal të Zi - 2003-07-25


ekretari amerikan i Shtetit, Kolin Pauëll, u takua të enjten në Uashington me zyrtarë të lartë serbë, Kryeministrin Zoran Zhivkoviç dhe ministrin e jashtëm, Goran Svillonoviç, për bisedime që u përqendruan tek reformat politike dhe ekonomike në Serbi dhe Mal të Zi.

Sekretari Pauëll vizitoi Beogradin, ku u takua me Kryeministrin Zhivkoviç, më pak se tri javë pas vrasjes më 12 mars të paraardhësit të tij, Zoran Xhinxhiç.

Zyrtarë amerikanë thonë se administrata e Presidentit Bush mbetet e angazhuar për të ndihmuar autoritetet e Beogradit në zbatimin e reformave të filluara nga zoti Xhinxhiç, dhe përpjekjeve të tij për të integruar Serbinë dhe Malin e Zi në institucionet euro-atlantike.

Pas takimit, në një konferencë shtypi së bashku me zyrtarët serbë, zoti Pauëll shprehu mbështetjen për përpjekjet e tyre në fushën e reformave, të cilat kanë marrë vrull pas vrasjes së ish kryeministrrit Xhinxhiç. “Unë urova kryeministrin dhe ministrin e jashtëm për punën që kanë bërë në zbatimin e reformave të themelta dhe për mbështetjen që kanë arritur të sigurojnë nga populli i tyre. Ne, tha sekrertari Pauëll, i falenderojmë ata për bashkëpunimin e Serbisë në luftën kundër terrorizmit dhe në çështje të tjera me interes të përbashkët”.

Dy zyrtarët nga Beogradi u takuan edhe me zyrtarin e Departamentit të Shtetit për çështjet e krimeve të luftës, ambasador Pierre-Richrad Prosper për bisedime mbi ndjekjen e personave të akuzuar për krime lufte nga Gjykata e Hagës, përfshirë ish gjeneralin serb të Bosnjës, Ratko Mlladiç.

Muajin e kaluar, Sekretari Pauëll, deklaroi se bashkëpunimi i Serbisë dhe Malit të Zi me gjykatën e Hagës ishte i kënaqshëm në bazë të kushteve të caktuara nga Kongresi amerikan.

Mirëpo, Departamenti i Shtetit tha se kërkon ndrëmarrjen e veprimeve të mëtejshme nga ana e federatës së re për të plotësuar detyrimet e saj dhe bëri thirrje për hapa të tjerë nga të gjitha vendet ballkanike që të ndihmojnë në arrestimin dhe esktradimin e zotit Mlladiç dhe më të kërkuarit të tjetër nga gjykata e Hagës, ish presidentin e serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiç.//xh//

XS
SM
MD
LG