Lidhje

Presidenti Moisiu: zgjedhjet vendore-pasaporta e Shqipërisë për në Evropë - 2003-07-25


Pasi dy partitë më të mëdha të vendit ranë dakort për hartimin e kodit të ri zgjedhor, tani vëmendja është përqëndruar në realizimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në tetor të këtij viti, gjatë votimeve për pushtetin vendor. Kjo, për shkak të historive të hidhura që kanë shoqëruar vitet e shkuara pothuajse çdo zgjedhje që është bërë në vend. Edhe Presidenti i Republikës Alfred Moisiu, deklaroi sot se ato mbeten sfida kryesore për shtetin shqiptar:

"Zgjedhjet e lira duhet të dëshmojnë ndarjen tonë përfundimtare nga praktikat e gabuara dhe krizat politike të së kaluarës dhe bashkimin tonë të pakthyeshëm me vlerat demokratike perëndimore. Ndaj ato janë dhe mbeten sfida kryesore dhe sprova më e rëndësishme e shtetit dhe shoqërisë shqiptare. Ato unë i konsideroj si pasaportën më të rëndësishme për në Europë",- tha presidenti.

Kreu i shtetit tha se do të kërkojë arritjen e një pakti politik mes partive, për zgjedhje të ndershme:

"Unë mendoj dhe do të realizoj gjatë shtatorit disa masa shumë të rëndësishme. Do të ftoj në një tryezë partitë politike parlamentare, për të arritur një pakt të zhvillimit të zgjedhjeve të standartit qytetar dhe demokratik",-tha presidenti.

Presidenti u shpreh se do të kërkojë nga policia shqiptare, e kritikuar shpesh për veprimtarinë e saj gjatë zgjedhjeve, që të zbatojë me rreptësi detyrimet e saj, duke ndëshkuar ashpër ata që shkelin ligjin.

Presidenti Moisiu bëri sot një bilanc të punës së tij një vjeçare në krye të shtetit shqiptar. Duke iu referuar situatës së fundit politike pas problemeve të qeverisë Nano, e cila u detyrua të ndryshojë dy anëtarë të kabinetit të saj, presidenti u bëri thirrje forcave politike që jo çdo ndryshim ta kthejnë në krizë:

"Parimi im ka qenë dhe është: të mos krijoj kriza, të mos bëhem palë e krizave, të qëndroj mbi krizat dhe të punoj për zgjidhjen e tyre. Është normale të kemi luftë politike, por duhet të mos lejojmë tronditje politike. Jo çdo ndryshim, apo keqkuptim duhet ta kthejmë në krizë. Përpjekjet më të mëdha për mirëkuptim dhe zbatim të rregullave të demokracisë duhet të jenë përgjegjësi e çdo politikani dhe institucioni",- tha presidenti Moisiu.

Presidenti Moisiu njoftoi sot se do të propozojë organizimin në vjeshtën e këtij viti në Tiranë, të një takimi të kryetarëve të shteteve të Ballkanit Perëndimor, për të përshpejtuar procesin e integrimit evropian. ”Synimi i këtyre takimeve, - tha ai, -është që Ballkani të vazhdojë të manifestojë një mendim të përbashkët, se të gjithë duan dhe kërkojnë përfshirjen në Evropë.”// lk //

XS
SM
MD
LG