Lidhje

Shpërthime në Prishtinë, Podujevë e Ferizaj - 2003-07-26


Tre shpërthime ndodhën të shtunën herët në Prishtinë, Podujevë, rreth 40 kilometra në veri të kryeqytetit, dhe në Ferizaj, po aq në jug të Prishtinës. Shpërthimet nuk shkaktuan viktima.

Zëdhënësja e Policisë së Kombeve të Bashkuara në Prishtinë, Angela Joseph, tha se dy vetura të Misionit të Kombeve të Bashkuara, janë dëmtuar nga një shpërthim në njërën nga lagjet kryesore të Prishtinës. Ajo tha se “nga një veturë në lëvizje një mjet është hedhur nën një automjet të Kombeve të Bashkuara, duke dëmtuar edhe një automjet tjetër ngjitur për të. Forcat paqerujatëse pranuan se fjala është për një bombë dore”.

“Tash për tash, tha ajo, nuk dihet asgjë për motivet apo autorët e mundshëm”. Sipas zonjës Joseph, i pasqaruar ka mbetur edhe një shpërthim i pasmesantës në afërsi të ndërtesës së Kuvendit Komunal të Podujevës, në veri të Prishtinës. Një mjet i paidentifikuar shpërtheu duke shkaktuar dëme të vogla materiale në këtë ndërtesë, ndërsa autorët dhe motivet mbeten të panjohura.

Ndërkaq, po pas mesnatës, në fshatin Talinoc të komunës së Ferizajt, në jug të Prishtinës, një shpërthim tjetër ndodhi në rrugën qendrore të fshatit duke dëmtuar rëndë tre kamionë dhe një ndertesë në afërsi.

Zonja Joseph tha se edhe ky shpërthim ka kaluar pa pasoja në njerëz, ndërsa motivet, sikundër edhe autorët, mbeten të paditura. “Tash për tash, tha ajo, është herët të thuhet nëse këto shpërthime kanë diçka të përbashkët, megjithë faktin se koha e tyre ishte afërsisht e njëjtë”. “…kjo mbetet çështje e hetimeve të mëtejshme”, nënvizoi zonja Joseph.

Shpërthimet e sotme, kanë pasuar një seri shpërthimesh gjatë dhjetë ditëve të kaluara në Kosovë. Të enjten në mbrëmje, një person humbi jetën dhe disa të tjerë mbetën të plagosur nga pasojat e shpërthimit të dy grantave në qendër të Mitrovicës, ndërsa të dielën e kaluar dy shpërthime ndodhën në Prishtinë, një në Gjykatën e Qarkut dhe një tjetër në stacionin e policisë. Një shpërthim tjetër ka ndodhur po të enjten e kaluar përballë stacionit të policisë në Podujevë. Deri tash nuk është zbuluar ndonjë përgjegjës për këto sulme, ndonëse dy vetë po mbahen në polici nën dyshimet se kanë lidhje me shpërthimet në Mitrovicë. Zyrtarët thanë se “është herët të thuhet nëse këto zhvilime janë të ndërlidhura me njëri-tjetrin, ndërkohë që kanë dëmtuar qëndrueshmërinë në Kosovë”.

Shpërthimet janë dënuar ashpër nga zyrtarët e institucioneve të Kosovës të cilët i kanë vlerësuar ato si “goditje kundër paqes e sigurisë së qytetarëve” të saj. //az//

XS
SM
MD
LG