Lidhje

SHBA: Gjykata e Lartë, kryetari i saj dhe Kushtetuta - 2003-07-27


Kushtetuta amerikane, që prej krijimit të saj nga baballarët e kombit, e ka ndarë qeverisjen e Shteteve të Bashkuara në 3 degë: dega ekzekutive, legjislative dhe ajo juridike. Hartuesit e saj kishin një synim të vetëm, që asnjërës degë të qeverisë të mos i jepeshin shumë kompetenca dhe puna e secilës degë të kontrollohej nga dy të tjerat. Megjithatë, siç thuhet në shënimin e mëposhtëm, kur bëhet fjalë për ligjet federale dhe shtetërore në Amerikë, vendimi i Gjykatës së Lartë, pjesë e degës juridike të qeverisë amerikane, është përfundimtar dhe nuk mund të hidhet poshtë as nga presidenti, as nga kongresi.

Kongresi e krijoi Gjykatën e Lartë para më shumë se 200 vjetësh, siç kërkohet në kushtetutë. Dega juridike e qeverisë gëzon pushtetin që të zgjidhë mosmarrëveshje ligjore që kanë të bëjnë me ligje, të miratuara nga kongresi. Në degën juridike përfshihen Gjykata e Lartë dhe gjykatat e nivelit më të ulët. Detyra kryesore e Gjykatës së Lartë është që të sigurohet se ligjet federale dhe shtetërore janë në përputhje me kushtetutën.

Shumica e mosmarrëveshjeve që shqyrtohen nga Gjykata e Lartë, janë shqyrtuar nga një gjykatë e nivelit më të ulët dhe për to janë marrë vendime. Gjykata e Lartë dëgjon apele rreth vendimeve të mara nga gjykata të nivelit më të ulët dhe që kanë të bëjnë me ligjet federale dhe shtetërore. Të gjitha vendimet e Gjykatës së Lartë janë finale. As presidenti dhe as kongresi nuk mund t’i vënë veton një vendimi të Gjykatës së Lartë.

Presidenti dhe anëtarët e kongresit zgjidhen çdo disa vjet. Atyre u duhet t’i bazojnë qëndrimet e tyre të paktën pjesërisht në kërkesat e elektoratit të tyre. Ndërsa anëtarët e Gjykatës së Lartë emërohen nga presidenti për një kohë të pacaktuar. Prandaj besnikëria e tyre nuk ka lidhje me votuesit, por me kushtetutën. Kandidatët e presidentit për anëtarë të Gjykatës së Lartë duhet të miratohen nga senati.

Gjykata e Lartë ka 9 anëtarë: një krye-gjykatës dhe 8 gjykatës. Edhe kryetari i Gjykatës së Lartë emërohet nga presidenti dhe miratohet nga senati amerikan.

Në bazë të kushtetutës, kryetari i Gjykatës së Lartë ka vetëm një detyrë të veçantë: të kryesojë çdo proces hetimor për shkarkimin e presidentit. Megjithatë, kryetari i Gjykatës së Lartë konsiderohet zyrtari më i lartë i gjykatës. Ai kryeson takimet, në të cilat diskutohen çështje të ndryshme si dhe zgjedh gjykatësit, që shkruajnë opinionet e gjykatës.

Aktualisht kryetar i Gjykatës së Lartë është William Rehnquist. Presidenti Richard Nixon e emëroi atë anëtar të gjykatës në vitin 1972. Më 1986, presidenti Ronald Reagan e emëroi atë kryetar të Gjykatës së Lartë, post të cilin zoti Rehnquist vazhdon ta mbajë. //az//

XS
SM
MD
LG