Lidhje

Çiklizëm: Lens Armstrong fiton Turin e Francës - 2003-07-27


Çiklisti amerikan, Lens Armstrong, fitoi për të pestën herë me radhë Turin e Francës i cili përfundoi sot në Paris. Fitorja pesë herë radhazi e veprimtarisë më të rëndësishme në botën e çiklizmit përbën rekord më vete për çiklistin amerikan.

Çiklisti 31-vjeçar nga Teksasi dhe 147 tjerë e kaluan vijën e finishit të etapës përfundimtare të turit në Shâ-z-Elizé të kryeqytetit francez.

Jan Ulrih i Gjermanisë zuri vendin e dytë në podium, me 61 sekonda pas Armstrongut. Aleksandër Vinokurov i Kazakistanit u rendit i treti me katër minuta e 14 sakonda më shumë.

I sivjetmi ishte ndër turnetë që kanë përfunduar me rezultat më të ngushtë gjatë viteve të fundit, kurse për Lens Armstrong, kjo ishte sfida më e fortë deri tani për vendin e parë që ai e mbante prej katër turnesh të mëparshme.

Por ai e vulosi fitoren e tij të shtunën, kur fitoi edhe 11 sekonda të tjera ndaj gjermanit Ulrih në garën e fundit të turneut me kronometër. Gjatë kësaj etape që u shoqërua nga shiu, Ulrih, fituesi i Turit më 1997, u rrëzua në një kthesë të rrëshqitshme dhe iu desh ta përfundonte garën duke pedaluar me kujdes.

Vetëm pesë çiklistë, përfshirë dhe Lens Armstrong-un e kanë fituar pesë herë Turin e Francës gjatë 100 vjetëve të historisë së tij. Ai barazon gjithashtu rekordin e spanjollit Miguel Indurain prej 5 fitoresh radhazi të veprimtarisë me prestigjoze të çiklizmit. //az/

XS
SM
MD
LG