Lidhje

Zhivkoviç: statusi i Kosovës do të zgjidhet me bisedime - 2003-07-28


Kryeministri i Serbisë Zoran Zhivkovic po i jep fund një vizite në Uashington gjatë së cilës ai pati takime me sekretarin e shtetit Colin Powell, me anëtarë të Kongresit dhe me zyrtarë të tjerë. Ndër temat kryesore të vizitës ishin çështjet e sigurisë në Ballkan, reformat në Serbi dhe çështja e bashkëpunimit të Beogradit me Gjykatën e Hagës. Në një konferencë shtypi që dha sot në Uashington, zoti Zhivkoviç tha midis të tjerash se statusi përfundimtar i Kosovës do të zgjidhet me bisedime midis Beogradit, Prishtinës, Brukselit dhe Uashingtonit.

Zoti Zhivkoviç erdhi në Uashington për të provuar, siç tha ai, se Serbia është partnere e besueshme e komunitetit ndërkombëtar në përpjekjet për vendosjen e qendrueshmërisë në Ballkan.

Në konferencën e shtypit të mbajtur në Uashington, kryeministri serb theksoi se vendi i tij kërkon përsëri ndihmën e Shteteve të Bashkuara për t’u integruar në Nato dhe në Bashkimin Evropian.

Ai tha se Serbia po përpiqet ta përligjë këtë me reformat që po vazhdon në të gjitha fushat që pas vrasjes së kryeministrit Zoran Xhinxhiç më 12 mars të këtij viti.

Zoti Zhivkoviç theksoi se ai pati mbështetjen e zyrtarëve amerikanë përsa u përket reformave të realizuara deri tani.

Kryeministri kërkoi midis të tjerash që edhe firmat serbe të bëhen pjesë e rindërtimit në Irak.

Ai u zotua se qeveria e tij do të shtojë më tej bashkëpunimin me gjykatën e Hagës dhe ritheksoi premtimin se ish shefi ushtarak i serbëve të Bosnjes, Ratko Mlldiç do të arrestohet nëse kapet në territorin e Serbisë.

Kryeministri Zoran Zhivkoviç e përshkoi situatën në Kosovë si të vështirë për banorët e saj dhe tha se vrasjet e serbëve dhe të shqiptarëve janë të përditëshme.

Megjithatë, ai theksoi se po të krahasohet me katër vjet më parë, gjendja është më e mirë.

Zoti Zhivkoviç tha se sipas rezolutës 12-44 të Këshillit të Sigurimit, Kosova është pjesë e vendit të tij. Ai shtoi se statusi përfundimtar i Kosovës është një çështje që do të zgjidhet në të ardhmen. Por zgjidhja më e mirë, tha ai, do të ishte një marrëveshje e cila të garantonte që në rajon të mos ketë më paqendrueshmëri.

Zoti Zhivkoviç tha se ky status do të zgjidhet me bisedime midis Beogradit, Prishtinës, Brukselit dhe Uashingtonit.//ii

XS
SM
MD
LG