Lidhje

Gjendje e rëndë e të sëmurëve me të meta mendore në Kosovë - 2003-07-28


Ditët e fundit Qendra Ndërkombëtare për të Drejtat e të Sëmurëve Psiqikë publikoi raportin e saj vjetor, ku flitet për keqtrajtim të sëmurëve me të meta mendore në Kosovë. Zëri i Amerikës intervistoi zotin Erik Rozental, Drejtor i Qendrës Ndërkombëtare për të Drejtat e të Sëmurëve Psiqikë

Zëri i Amerikës: Zoti Rozental, ditët e fundit organizata juaj publikoi raportin vjetor për gjendjen e të sëmurëve me të meta mendore në Kosovë, ku flitet për keqtrajtim të tyre. Para një viti, ju publikuat një raport të ngjashëm. Sot, pas një viti, a ka ndryshuar ndopak gjendja?

E. Rozental: Kemi vënë re disa ndryshime pozitive, por kemi akoma disa shqetësime serioze. Një raport i organizatës sonë i vitit të kaluar dokumenton disa raste të keqtrajtimeve fizike, abuzimit seksual, dhe moskujdesit në institucione me pacientë me zhvillim të vonuar mendor. Autoritetet janë të vendosura për hetimin e këtyre rasteve. Është krijuar një sistem për mbikqyrjen e të drejtave të njeriut që njihet si ”Bordi i Vizitorëve”, i cili do të vëzhgojë punën e këtyre institucioneve. Megjithatë, nevojitet për tepër trajnim për anëtarët e Bordit, si dhe eksperiencë për të dokumentuar shkeljen e të drejtave të njeriut, për t’u siguruar që këto shkelje të dalin para drejtësisë. Desha të shtoj, se një vendim i ri i cili na ka shqetësuar së tepërmi, është se po bëhet transferimi i të personave me zhvillim të vonuar mendor, nga Kosova në Serbi, ku ata vendosen në institucione tjera. Unë mendoj se kjo është mjaft e rrezikshme.

Zëri i Amerikës: Përse autoritetet e UNMIK-ut kanë zgjedhur t’i transferojnë të sëmurët me të meta mendore të Kosovës në institucionet e Serbisë, ndërkohë që ata janë rritur dhe kanë jetuar gjithë jetën e tyre në Kosovë?

E. Rozental: Deklarata publike e këtij transferimi është se ata po i marrin të sëmurët e komunitetit serb, që flasin gjuhën serbe, për t’i sjellë ata më pranë familjeve të tyre në Serbi, por në praktikë ne mendojmë se kjo nuk po ndodh. Ne na është thënë se pacientët janë marrë nga Shtimja dhe janë vendosur ne institucione në Serbi. Ne i kemi inspektuar këto institucione dhe shumë nga to janë të stërmbushura, në kushte shumë të këqija, të drejtat e pacientevë nuk janë të mbrojtura dhe ne jemi shumë të shqetëstuar, se nëse këta pacientë transferohen në Serbi, do të ballafaqohen me keqtrajtime të mëtejshme dhe shkelje të të drejtave të tyre. Një fëmijë për shembull, është transferuar në Kulina, një institucion me kushte të tmerrshme.

Zëri i Amerikës: Në raport kritikohen zyrtarët e UNMIK-ut, që nuk pranojnë të mbajnë përgjegjësi për trajtimin e të sëmurëve me të meta mendore, duke thënë se ja kanë transferuar ato autoriteteve kosovare. A mos kemi të bëjmë këtu me një shmangie nga përgjegjësitë? Cilat isntitucione duhet të përgjigjen për trajtimin e këtyre të sëmurëve?

E. Rozental: Po, kjo përbën problem. Autoritetet e UNMIK-ut e kanë transferuar kontrollin administrativ të çështjeve sociale dhe shëndetësore tek autoritetet vendore dhe kjo është një gjë e mirë, por, UNMIKU është përgjegjës për sa u përket të drejtave të njeriut. Nga ana e tij, UNMIKU vazhdon të thotë se kjo është politikë sociale dhe njerëzit mund të kenë mendime të ndryshme për sa i përket kësaj çështjeje, por duhet të them se kjo është politikë sociale, që në fakt po shkel të drejtat e njeriut. Njerëzit po izolohen nga shoqëria dhe po vendosen në institute, ku të drejtat e tyre shkelen seriozisht. UNMIKU duhet të krijojë një sistem, i cili do të siguronte respektimin e të drejtave të njeriut.

Zëri i Amerikës: Mbajtja mbyllur nëpër spitale, tashmë është një metodë e vjetër për trajtimin e të sëmurëve me të meta mendore. Këtu në Shtetet e Bashkuara, psh., shumica e tyre janë integruar në jetën e shoqërisë. Cilat do të ishin disa nga sugjerimet tuaja për të ndryshuar mënyrën e trajtimit të këtyre të sëmurëve në Kosovë?

E. Rozental: Po, është e vërtetë se ka patur një iniciativë në mbarë botën për të transferuar njerëzit me zhvillim të vonuar mendor nga institucione të izoluara, në komunitete. Kjo ka ndodhur ne Shtetet e Bashkuara, në shumicën e vendeve të Evropës dhe tanimë ka filluar edhe në Kosovë. Ministria e Shëndetësisë ka disa programe shumë të mira për të krijuar ndihma të posaçme për personat me sëmundje psiqike. Por, problemi ka qenë se pacientët me zhvillim të vonuar mendor janë braktisur nëpër institucione, ngaqë shpesheherë mendohet se këta njerëz nuk kanë kurrfarë shprese për të jetuar në mes të komunitetit, prandaj kanë investuar fonde të mëdha pët të rindërtuar spitalin e Shtimjes, ku ata do të jetonin gjithë jetën e tyre. Kjo është në kundërshtim me politikën sociale, është në kundërshtim me politikën ku mbështeten shtetet donatore të fondeve dhe është një shkelje e të drejtave njerzore të këtyre pacientëve. Njerëzit me zhvillim të vonuar mendor, të cilët nuk janë të rrezikshëm, mund të jetojnë në shoqëri. Fondet janë. Qeveria Hollandeze, Norvegjeze, Gjermane dhe ajo e Japonisë kanë dhënë fonde për të ndihmuar pacientët me zhvillim të vonuar mendor. Problemi është se këto fonde janë keqpërdorur. Do të kishte qenë shumë më mirë po të ishin përdorur të njejtat fonde për t’i ndihmuar këta pacientë të integrohen në shoqëri.

XS
SM
MD
LG