Lidhje

Shqipëria mbetet përkohësisht pa ministër të jashtëm - 2003-07-29


Kryeministri i Shqipërisë, Fatos Nano tha se detyrat e ministrit të jashtëm do t’i kryejë përkohësisht zëvendës ministri Luan Hajdaraga. Ai tha se problemet brenda Partisë Socialiste do të zgjidhen shpejt duke komentuar në këtë mënyrë për votimin e zhvilluar mbrëmë në parlament, ku u rrëzua një dekret i Presidentit për emërimin e ministrit të jashtëm. Ndërkaq opozita përsëriti kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit. Forcat politike në Tiranë po kalojnë një situatë të nderë një ditë pas mosvotimit të ministrit të jashtëm të dekretuar në parlament. Zëvendëskryeministrja e ministre e integrimit, Ermelinda Meksi, bëri sot betimin tek Presidenti Moisiu, ndërsa opozita dhe një grup deputetësh socialistë po studjojnë rezultatet e bashkimit të votave të tyre kundër kryeministrit Nano dhezotit Marko Bello që u dekretua për ministër të jashtëm. Zoti Nano tha sot në një konferencë shtypi se nuk ka ndonjë shqetësim ligjor apo politik me rrëzimin e djeshëm të ministrit të jashtëm. Mazhoranca dhe qeveria sipas tij, funksionojnë normalisht, duke shtuar se nuk do të kërkonte një seancë të jashtëzakonshme parlamenti. “Pavarësisht problemeve të brendshme, të cilat po reduktohen, mazhoranca po shfaq përgjegjshmëri të lartë përpara vendit, duke mos cënuar apo lejuar të cënohen aspak prioritetet që kemi për të thelluar reformat që lidhen drejtpërdrejt me përfundimin e shpejtë të negociatave për marrëveshjen e stabilizim-asociimit të Shqipërisë me Bashkimin Europian” - tha zoti Nano. Ai tha se detyrat e politikës së jashtme do t’i kryejë përkohësisht zëvendësministri i punëve të jashtme, Luan Hajdaraga, po ashtu një përfaqësues i lartë i politikës socialiste. “Pavarësisht nga mosmiratimi i emërimit të ministrit të jashtëm të propozuar dhe dekretuar nga Presidenti, mazhoranca socialiste ka përgjegjësinë dhe vetëdijen politike se politika e jashtme e shtetit shqiptar nuk do të cënohet, nuk do të kufizohet dhe nuk do të ndryshojë. Parimet e politikës së jashtme të vendit tashmë janë të përcaktuara qartë, pavarësisht se në zbatim të saj përkohësisht nuk do të kemi një ministër të jashtëm, por zv.ministrin e punëve të jashtëme” - tha zoti Nano. Ai tha se problemet brenda PS janë reduktuar në 5-6 persona që kanë shkelur rregullat partiake për ndonjë post që kanë kërkuar. Duke parapëlqyer opozitën, sipas tij, ata kanë devijuar interesat e njerëzve që i kanë votuar. “Ky grup - tha zoti Nano - do të mirëkuptohej si fraksion, nëse do të paraqiste ndonjë platformë politike për të parë në kongresin e rradhës të PS, nëse kjo platformë është afër programit të PS apo jashtë saj”. Ndërkaq opozita kërkoi dorëheqjen e kryeministrit Nano, për shkak të dështimit që pati nga votimi në parlament. Kryetari i Partisë Demokratike të opozitës, Sali Berisha, tha se zoti Nano duhet të japë dorëheqjen te Presidenti, ose të kërkojë votbesim në parlament. “Edhe njëherë, kërkoj nga kryeministri Nano të paraqitet më urgjencë në votbesim dhe të mos mbajë qeverisjen e vendit peng” - tha zoti Berisha. Parlamenti merr tani afro një muaj pushime, ndërsa kjo verë e nxehtë politike do të pasohet nga fushata e zgjedhjeve vendore, që pritet të jetë po aq e tensinouar nga ambicjet e një numri të madh forcash dhe grupimesh politike. //ss//

XS
SM
MD
LG