Lidhje

Shtetet e Bashkuara paralajmërojnë për sulme të tjera terroriste - 2003-07-29


Zyrtarët amerikanë thonë se kanë informacione se gjatë muajve të ardhshëm terroristët mund të planifikojnë sulme të reja vetvrasëse me aeroplanë të rrëmbyer, të ngjashëm me sulmet e 11 shtatorit. Departamenti i Sigurimit Kombëtar thotë se nuk ka informacione konkrete për kohën ose objektet e mundshme të goditjes, por vetëm se sulmet mund të kryhen në Shtetet e Bashkuara ose jashtë tyre.

Departamenti thotë se këto informacione të paqarta u mblodhën gjatë intervistave të zhvilluara kohët e fundit me të paktën një të burgosur, anëtar të al-Qaidës dhe pastaj u konfirmuan me mjete të tjera. Zyrtarët vazhdojnë hetimet lidhur me këto informacione por thonë se megjithatë janë marrë masa për t’i dalë përpara rrezikut, duke njoftuar agjencitë e ruajtjes së rendit si dhe personelin që merret me sigurinë e aeroporteve.

Edhe firmat ajrore amerikane po paralajmërohen për mundësinë e sulmeve të tjera terroriste nga Al-Kaida dhe po u kërkohet të shtojnë masat e sigurimit. Ndërsa përvjetori i dytë i sulmeve të 11 shtatorit po afron, autoritetet amerikane thonë se kanë të dhëna për një shtim të kërcënimeve për rrëmbime të tjera aeroplanësh.

Kjo informatë është nxjerrë nga të paktën një anëtar i arrestuar i Al-Kaidës, si dhe nga përgjimet elektronike të bisedave. Autoritetet amerikane thonë se po vlerësojnë besueshmërinë e kësaj informate, e cila megjithëse nuk drejtohet ndaj një objekti të caktuar, lë të kuptohet se terroristët përsëri mund të jenë duke planifikuar rrëmbimin e aeroplanëve të udhëtarëve gjatë periudhës deri në dy vjetorin e sulmeve të 11 shtatorit.

Edhe pse disa udhëheqës të lartë të Al Kaidës janë tashmë në gjendje arresti, autoritetet amerikane vazhdimisht kanë paralajmëruar se lufta kundër terrrorizmit nuk ka marrë fund dhe se Al Kaida vazhdon planifikimin e sulmeve kundër Shteteve të Bashkuara.

Ja si shprehet drejtori i organizatës private për sigurimin global, John Pike.

“11 shtatori ishte akti më i madh terrorist në histori dhe duket se Al Kaida do të përpiqet të kryejë një akt tjetër edhe më të madh”.

Ndërkohë që qeveria po i këshillon firmat ajrore dhe organet e rendit që të shtojnë masat e sigurimit, autoritetet tani për tani nuk po e ngrenë shkallën e rrezikut terrorist, masë që merret kur ekzistojnë informata të qarta se vendi ndodhet në rrezik të një sulmi terrorist.//kk//

XS
SM
MD
LG