Lidhje

Departamenti i Shtetit paralajmëron përsëri amerikanët - 2003-07-30


Shtetet e Bashkuara nxorën të martën një paralajmërim të ri për amerikanët, që ndodhen në vende të tjera të botës. Zyrtarët amerikanë thanë se terroristët mund të planifikojnë sulme të reja vetëvrasëse me aeroplanë të rrëmbyer, të ngjashëm me sulmet e 11 shtatorit, 2001.

Në paralajmërimin e Departamentit të Shtetit thuhej se terroristët mund të kryejnë operacione vetëvrasëse, rrëmbime aeroplanësh, shpërthime ose rrëmbime.

Po të martën, Departamenti i Sigurimit të Atdheut tha se kishte mësuar për sulme të mundshme gjatë muajve të ardhshëm, por nuk dha informacion të posaçëm rreth datave ose objekteve të mundshme. Në paralajmërim thuhej se sulmet mund të ndodhin në Shtetet e Bashkuara ose jashtë vendit.

Departamenti thotë se këto informacione të paqarta u mblodhën gjatë intervistave të zhvilluara kohët e fundit me të paktën një të burgosur, pjesëtar i al-Qaidës, dhe pastaj u konfirmuan me mjete të tjera. Zyrtarët vazhdojnë hetimet lidhur me këto informacione, por thonë se, megjithatë, janë marrë masa për t’i dalë rrezikut para, duke njoftuar agjencitë e ruajtjes së rendit, si dhe personelin që merret me sigurinë e aeroporteve.

Ndërkaq, Pentagoni hoqi dorë nga planet e tij për të hapur një faqe interneti ku investitorët mund të vinin baste për sulmet dhe vrasjet e ardhshme terroriste. Ky projekt, i cili u bë i ditur të martën nga senatorë të cilët janë kundër tij, do t’i ngjante një tregu aksionesh që do t’i lejonte njerëzit të vinin baste për ngjarje të tilla të mundshme, siç do të ishte për shembull përmbysja e monarkisë në Jordani. //az//

XS
SM
MD
LG