Lidhje

Tiranë:Thellohen përçarjet mes socialistëve - 2003-07-30


Lufta e brendshme në partinë socialiste po acarohet. Pas deklarimeve të djeshme të kryeministrit Fatos Nano se ata që rrëzuan në parlament ministrin e jashtëm përbëjnë një pakicë, sot ka sulmuar ashpër zoti Ilir Meta. Ai është shprehur se vendi po qeveriset nga ajo që e cilësoi si banda e Fatos Nanos. Zoti Meta akuzoi kryeministrin për autoritarizëm dhe absolutizim të pushtetit dhe partisë, dhe për lidhje me krimin ekonomik. Ish numri dy i qeverisë, bëri të qartë se do t’i kundërvihet kryetarittë partisë duke ndërmarrë një tur takimesh në të gjithë vendin.

Në Partinë Socialiste është rikthyer klima që shoqëroi konfliktin e parë Nano Meta në fund të vitit 2001, me të njejtin tension, me të njëjtat kërcënime dhe akuza. Kryeministri pas dështimit në parlament ku një pjesë e deputetëve të partisë së tij rrëzuan kandidaturën e ministrit të jashtëm, u mundua të shfaqej dje i qetë, duke u shprehur se ajo që ndodhi do të analizohej nga strukturat e partisë. Por nga ana tjetër, degët socialiste në rreth u aktivizuan në një garë solidariteti me të dhe kritikash ndaj zotit Meta dhe përkrahësve të tij. Një lëvizje e cila u krahasua sot nga zoti Meta me atë të fanatikëve të diktatorit komunist Enver Hoxha në vitin 1990.

Vullnetarët e Fatosit u shpreh zoti Meta, përfaqësojnë njerëz dhe krijesa të degraduara moralisht dhe politikisht. Ai akuzoi kryeministrin dhe kryetarin e partisë për absolutizim të pushtetit. Sipas tij tashmë zoti Nano përfaqëson një bandë që ka uzurpuar partinë dhe qeverinë: “Ai është në një degradim të plotë dhe pčërpiqet që degradimin e tij t’ia imponojë shoqërisë dhe sistemit institucional. Kriza e tij nuk mund dhe s’do të lejojmë të bëhet kriza e Shqipërisë. Ajo le të jetë kriza e atij grupi që po ravijëzohet qartë se mbështet Fatosizimin e PS dhe të shoqërisë, që përbëhet nga bërthama të vjetra staliniste që për 13 vjet qëndruan të maskuara në PS së bashku me përfaqësuesë të krimit ekonomik që kërkojnë të monopolizojnë gjithë pushtetin”

Kryeministri Nano la të kuptohej dje se ai do t’i drejtohej elektoratit që ka zgjedhur grupin e deputetëve përkrahës të zotit Meta. Por ky i fundit u përgjigj sot se edhe ai është i gatshëm të ndërmarrë një hap të tillë në të gjithë Shqipërinë: “Unë jam i lirë për t’iu drejtuar edhe opinionit socialist edhe elektoratit, jo vetëm atje ku më kanë zgjedhur, por në të gjithë Shqipërinë. Presioni dhe dhuna që Nano po përdor apo premtimet e njohura për poste nuk do të kenë asnjë lloj suksesi”.

Shtrirja e konfliktit mes dy figurave të partisë socialiste në bazën e saj do të bënte akoma më të egër përplasjen. Ndoshta kjo do t’i interesonte në planin personal kryeministrit, për të cilin elektorati socialist është një fushë beteje të cilën ai ka dëshmuar se e njeh mirë dhe di t’a zotërojë. Nga ana e tij ish numri dy qeverisë hodhi poshtë edhe akuzat se poparapëlqen opozitën dhe se përfaqëson një pakicë. Në një formë kërcënimi ai sfidoi kryeminisrin duke u shprehur se nëse do të kërkonte votbesim në parlament nuk do të merrte më shumë se 30 vota.

Deri në fillim të shtatorit lufta brenda PS mesa shihet do të jetë një përplasje deklaratash dhe akuzash, deri në pritje të dëshmisë tjetër në parlamnt kur do të duhet të kalojë ministri i ri i jashtëm. //ss//

_________________________________________________________________

XS
SM
MD
LG