Lidhje

Universiteti Amerikan hap dyert në Kosovë - 2003-07-30


Zëri i Amerikës: Zoti Sell, paralajmërimi i fillimit të punës së Universitetit Amerikan, është pritur me entuziazëm në Kosovë, madje është përshëndetur edhe nga përfaqësues politikë të saj. Cili do të jetë sipas jush roli i këtij Universiteti në Kosovë?

Louis Sell: Universiteti Amerikan në Kosovë do të ofrojë arsimim cilësor, privat dhe të pavarur amerikan për banorët në Kosovë dhe për rajonin në tërësi. Studentët që do të mësojnë këtu do të ndjekin një program amerikan, nga profesorët amerikanë. Kurset dhe leksionet që do të ndjekin këtu janë tërësisht të pranueshme në Universitetet Amerikane, pra avantazhi i tyre është se do të jenë në gjendje ta bëjnë këtë vetëm me një pjesë të cmimit që do paguanin po të shkonin në Shtetet e Bashkuara.

Zëri i Amerikës: Zoti Sell, si e keni menduar zhvillimin e veprimtarisë së këtij Universiteti?

Louis Sell: Universiteti Amerikan në Kosovë është i vogël si fillim, por synon të rritet hap pas hapi në një Universitet katërvjecar. Këtë vit do të fillojmë në një ndërtesë në Kodrën e Diellit në Prishtinë, me rreth 120 studentë në fakultetet e afarizmit dhe ekonomisë, duke u përqëndruar në shfrytëzimin intensiv të kompjuterave.

Zëri i Amerikës: A mund të shpjegoni se si do të mbahen mësimet, kush do te ligjërojë dhe në cilën gjuhë? A do të jetë kjo tërësisht në anglisht?

Louis Sell: Po, ashtu është. Gjuha dhe detyrat do të jenë tërësisht në anglisht, të gjitha provimet do të jenë në anglisht, sikurse edhe administrata. Kurset do të realizohen kryesisht nga fakulteti amerikan, veçanërisht ne fillim të vitit, por gjithashtu, do të punohet shumë edhe në shfrytëzimin e kompjutërve. Disa nga kurset do të jenë të nivelit të lartë, të cilat do të mundësohen nga fakulteti amerikan dhe mund të ndiqen përmes Internetit. Gjithashtu është shumë e rëndësishme që të nënvizohet se studentët që do të ndjekin këtë Universitet, do të kenë qasje në burime shumë të veçanta të hulumtimeve. Të gjitha bibliotekat, të gjitha dokumentacionet dhe mjetet tjera të mësimit që gjenden në Universitetin e Teknologjisë në Rochester do të jenë të hapura edhe për studentët e Universitetit Amerikan në Prishtinë nëpërmjet kompjutërëve të shumtë bashkëkohorë të cilët jemi duke i blerë që tani.

Zëri i Amerikës: Kush mund të kandidohet në këtë Universitet dhe cfarë kushtesh do t’u ofroni?

Louis Sell: Ju faleminderit për këtë pyetje. Çdokush mund të konkurrojë këtu. I ftojmë të gjithë të interesuarit që të konkurrojnë. Kërkesat dorëzohen nëpërmjet Internetit në adresën e faqes sonë në Internet, www.irt.idu/aukadmin. Ftojmë të gjithë të interesuarit që ta vizitojnë këtë adresë, por gjithashtu mund të na telefonojnë në numrin tonë në Prishtinë, 038 540 197 dhe ne mund t’i informojmë edhe nëpërmjet telefonit. Sidoqoftë, të gjitha kërkesat duhet të dorëzohen nëpërmjet Internetit.

Zëri i Amerikës: Duke pasur parasysh sistemin e deritashëm të arsimimit në Kosovë dhe reformat e sapofilluara, cilat do të jenë ndryshimet që do të sjellë ky Universitet në sistemin e gjithmbarshëm të arsimit në Kosovë?

Louis Sell: Ne shpresojmë të ofrojmë një shembull të sistemit modern dhe bashkëkohor të arsimit. Një shembull që do të inkurajonte jo vetëm mësimin që është shumë i rëndësishëm, por edhe mundësinë për të menduar në mënyrë kritike. Një mundësi tjetër e jashtëzakonshme e këtij arsimi është “mësimi bashkëpunues” që do të thotë se studentët do të mund të integrojnë leksionet që marrin me praktikën ekonomike aktuale. Kjo është mundësia kryesore e modelit arsimor të Institutit Teknologjik të Roçesterit dhe e njëjtë do të jetë edhe për punën tonë. Ne do të punojmë me studentët, për të gjetur punë në të cilat mund të punojnë dhe mësojnë. Punë në Kosovë dhe disa të tjera në vende të ndryshme të botës.

Zëri i Amerikës: Si do të pasqyrohet puna juaj në institucionet tjera të arsimit të lartë, duke pasur parasysh edhe konkurencën?

Louis Sell: Ne shpresojmë të kemi një ndikim pozitiv. Shpresojmë të sigurojmë një shembull pozitiv për të gjitha institucionet e tjera arsimore. Ne nuk e shohim rolin tonë për t’i bërë konkurrencë dikujt, por si bashkëpunim në punën e përbashkët për të siguruar një model modern të arsimit. Dëshirojmë që ta përqëndrojmë këtë model në metodat dhe burimet bashkohore.

Zëri i Amerikës: Zoti Sell, ju jeni njohës i mirë i zhvillimeve në Kosovë por edhe më gjerë. Por tash në postin tuaj të ri mund të thuhet se jeni më thellësisht të përfshirë në shoqërinë e këtushme. Si i vlerësoni zhvillimet aktuale në Kosovë?

Louis Sell: Ndjehem shumë i privilegjuar të jem në funksion të themelimit të një Universiteti të ri për njerëzit në Kosovë. Mendoj se keni të drejtë, kjo më ka përfshirë më thellësisht në shoqëri. Mendoj se në shumë fusha është arritur një përparim shumë i madh këtu. Rindërtimi nga shkatërrimet e luftës pothuajse ka mbaruar, njerëzit duan që të vazhdojnë të ndërtojnë një të ardhme më të mirë dhe gjithsesi, ftojmë të gjithë që të mendojnë kësisoj. Mendojmë se ky Universitet, do të luajë një rol të madh në këtë drejtim. Dua të nënvizoj natyrisht se ky Universitet është i hapur për të gjithë studentët, pavarësisht nga prejardhja etnike, gjinore apo fetare. Shpresojmë që të gjithë njerëzit në Kosovë, por edhe në rajon, të takohen këtu dhe të mësojnë të punojnë bashkërisht, të luajnë dhe të jetojnë bashkërisht. //kk//

XS
SM
MD
LG