Lidhje

Bush: forcat amerikane janë më pranë kapjes së Sadamit - 2003-07-30


Presidenti Bush thotë se mban përgjegjësi personale për një rrjesht në fjalimin e tij drejtuar kombit ku ai theksoi se Iraku po përpiqej të blinte uranium nga Afrika.

Në një konferencë shtypi që dha të mërkurën paradite presidenti Bush mbrojti vendimin e tij për të hyrë në luftë me Irakun dhe theksoi se do të kërkojë trysninë diplomatike të komunitetit ndërkombëtar për Iranin dhe Korenë e Veriut.

Presidenti Bush doli të mërkurën para gazetarëve për të folur mbi ngjarjet e javëve të fundit dhe për t’ju përgjigjur pyetjeve të tyre, tani që Kongresi i ndërpret punimet për një muaj për pushime dhe ai vetë i fillon pushimet të shtunën.

Konferencën e shtypit Presidenti e filloi me Irakun. Ai tha se vdekjet e djemve të Sadamit në një luftim me trupat e koalicionit e bindën popullin irakian se tashmë është i çliruar. I pyetur nëse Shtetet e Bashkuara janë më afër kapjes së udhëheqësit të përmbysur irakian, presidenti Bush tha.

“Nuk e di, se sa afër jemi kapjes së Sadam Huseinit. Por besoj sot jemi më afër se dje. Ajo që mund të them është se jemi në ndjekje të tij.”

Presidenti Bush tha se kishte marrë informata të sakta nga agjencitë e zbulimit para lutës të cilat tregonin se Sadam Huseini përbënte një kërcënim dhe po përpiqej të blinte armë të shkatërrimit në masë. Presidenti Bush tha se do të gjenden provat që mbështesin akuzat dhe bëri thirrje për durim.

Por disa nga provat që administrata e presidentit Bush përmendi para fillimit të luftës, sidomos akuza se Sadam Huseini po pëpiqej të blente uranium nga Afrika është vënë në dyshim. Drejtori i CIA-s dhe një zyrtar i lartë i Sigurimit Kombëtar në Shtëpinë e Bardhë morën përsipër fajin për përfshirjen e deklaratës së pasaktë në fjalimin e presidentit drejtuar kombit në janar. Presidenti Bush u shpreh se mbante përgjegjësi dhe u përpoq të linte mënjanë këtë mosmarrëveshje.

“Unë mbaj përgjegjësi të plotë për çdo gjë që them, pa dyshim, tha presidenti Bush. Po ashtu mbaj përgjegjësi për marrjen e vendimit për luftë dhe për arritjen e paqes.”

Lidhur me Iranin dhe Korenë e Veriut, dy vende të tjera që mendohet se synojnë të prodhojnë armë të shkatërrimit në masë, presidenti Bush tha se mendonte se rruga më e mirë për zgjidhjen e këtyre krizave është diplomacia dhe trysnia ndërkombëtare. Presidenti Bush tha se kishte biseduar sot me presidentin e Kiës Hu Gjin Tao lidhur me krizën e Koresë së Veriut.

“Kemi filluar të bëjmë përparim të madh, duke ndarë përgjegjësitë në një mënyrë të tillë e cila mendoj se do të ndryshojë qëndrimin e Koresë së Veriut dhe presidentit të saj Kim Jung Il. Ky ndryshim, tha presidenti Bush, do të ketë pasoja pozitive në rajon.”

Presidenti Bush foli edhe për luftën kundër terrorizmit. Ai përsëriti qëndrimin e tij se nuk do të bënte publike një pjesë të raportit të Kongresit lidhur me sulmet terroriste të 11 Shtatorit. Këto faqe mendohet se përmbajnë akuza që lidhin zyrtarë të caktuar saudit me rrëmbyesit e avionëve.

Ministri i Jashtëm saudit u përpoq të bindte presidentin Bush të ndryshonte qëndrimin e tij. Takimi i tyre u zhvillua menjëherë pas takimit që presidenti Bush pati të martën me kryeministrin izraelit Ariel Sharon.

Zoti Sharon nuk pranoi të hiqte dorë nga një plan për ngritjen e një brezi sigurie në Bregun Perëndimor që ka zemëruar autoritetin palestinez. Pavarësisht nga këto zhvillime presidenti Bush tha se besonte në respektimin e afatit kohor për krijimin e një shteti palestinez në vitin 2005, i cili është përfshirë në planin e paqes të hartuar nga Shtetet e Bashkuara, Rusia, Bashkimi Europian dhe Kombet e Bashkuara.

Lidhur me gjendjen e brendshme, presidenti Bush tha se kishte shpresë në përmirësimin e ekonomisë amerikane. Ai bëri thirrje Kongresit të miratonte disa ligje të propozuara prej tij duke përfshirë një projektligj për energjinë, dhe një projektligj tjetër që synon të ndihmojë amerikanët e moshuar të paguajnë për ilaçet. //kk//

XS
SM
MD
LG