Lidhje

Martesat e homoseksualëve - 2003-07-31


Juristët e Shtëpisë së Bardhë po studjojnë rrugët për ndalimin e martesave midis homoskesualëve në Shtetet e Bashkuara. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Scott Stearns njofton se disa ligjvënës republikanë po bëjnë thirrje për një amendament të ri kushtetues, për ndalimin e martesës midis personave të të njëjtit seks.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Scott McClellan thotë se juristët e administratës po studjojnë një vendim të kohëve të fundit të Gjykatës së Lartë amerikane, i cili shfuqizoi ligjet e disa shteteve për ta bërë të jashtëligjshme bashkëjetesën midis personave të të njëjtit seks.

Zoti McClellan thotë se juristët gjithashtu po vëzhgojnë disa raste gjyqësore që lidhen me të drejtat e homoseksualëve, për të gjetur se çfarë do të kërkohej ligjërisht ”për mbrojtjen e karakterit të shenjtë të martesës”.

Presidenti Bush tha dje se ai nuk do të bëjë kompromise për bindjen e tij, se martesat duhet të bëhen vetëm midis personave me seks të ndryshëm.

Jam i mendimit se martesa është diçka e shenjtë, se ajo mund të ndodhë vetëm midis burrit dhe gruas dhe se kjo duhet kodifikuar, në një mënyrë, apo një tjetër. Për të realizuar këtë juristët tanë po e shqyrtojnë këtë çështje për ta zgjidhur ashtu si është më mirë, tha Presidenti.

Në Shtetet e Bashkuara ekziston një ligj, i cili u mohon përfitimet sociale njerëzve që martohen brenda të njëjtit seks. Por një vendim i Gjykatës së Lartë në muajin qershor, i përtëriti kërkesat për një amendament kushtetues, i cili do ta bënte të jashtëligjshme martesën midis homoskesualëve.

Zoti McClellan nuk tha në se presidenti Bush e mbështet një amendament të tillë. Ai tha se zoti Bush mendon se orientimi seksual i një personi, është ”zgjedhje personale e vetë personit”, por martesa midis homoseksualëve nuk duhet lejuar.

XS
SM
MD
LG