Lidhje

Çfarë motivesh i shtyjnë adoleshentët drejt marrëdhënieve seksuale? - 2003-07-31


Sipas një sondazhi të fundit të publikuar nga Fondacioni Kaiser, shumë adoleshtentë, në veçanti djemtë, janë nën trysni për të kryer marrëdhënie seksuale. Një studim tjetër tregon se rreth një në pesë adoleshentë pohojnë se kanë kryer marrëdhënie para moshës 15 vjeç.

Për të ndihmuar të rinjtë të marrin vendimin e duhur dhe të shmangin rrezikun e shtatëzanisë së padëshiruar dhe të sëmundjeve të transmetuara në rrugë seksuale, një organizatë jo-fitimprurëse po zhvillon kurse edukimi për adoleshentët, ku atmosfera e ngrohtë i inkurajon të rinjtë e të rejat të shprehen lirshëm pa patur frikë se do të paragjykohen. Shoqata Planned Parenthood, ka realizuar programe në komunitete të ndryshme në zonën e Washingtonit për më shumë se 6 dekada. Presidentja e saj, Jatrice Martel Gaiter, thotë se përmes kurseve, kohët e fundit, shoqata ka paraqitur një program që përfshin një numër të madh të rinjsh dhe komunitetesh.

“Na ka habitur fakti që të rinj, në moshën kur mund të janë seksualisht aktivë, nuk dinë asgjë përsa i përket organizmit të tyre. Ata nuk e kuptojnë rëndësinë dhe seriozitetin e marrëdhënieve, e të paturit aftësi komunikuese e aftësi për zgjidhjen e problemeve me personat e tjerë. Ne po i analizojmë edhe përsa i përket gjendjes emocionale e mendore. Ka shumë të rinj që vuajnë nga depresioni, nga probleme që lidhen me ndryshimin e jetës, apo nga probleme që lidhen me kërcënimet e jetës së tyre pa gjetur rrugëdalje”.

Kur është fjala për adoleshentët dhe çështjet që lidhen me seksin, nënpresidentja e shoqatës Virginia Martin beson se është e rëndësishme të trajtosh motivet që i nxisin drejt rrezikut djemtë e vajzat në moshën e adoleshencës.

“Një mori prej këtyre sjelljesh të natyrës së njeriut po manifestohen gjithnjë e më herët. Prandaj po përpiqemi të vendosim kontakt me të rinj të moshave gjithnjë e më të hershme për të folur me ta para se ata të fillojnë të mendojnë lidhur me jetën e tyre seksuale duke u përpjekur të vlerësojmë ato elemente që lidhen me strukturën sociale nga vijnë, të vlerësojmë se çfarë i detyron këta të rinj e të reja të angazhohen në sjellje të tilla shumë më herët se para dy brezash a madje edhe më herë se një brez më parë”.

Zonja Martin thotë se organizata Planned Parenthood realizon për të rinjtë edhe programe në shkollat amerikane publike e private, megjithëse beson se programet përmes klinikave janë më të efektshme. Ajo thotë se ky program është një burim i mirë informacioni për prindërit që kanë nevojë të japin fëmijëve të tyre drejtimin e duhur.

Presidentja e organizatës Jatrice Martel Gaiter thotë se fakti që të rinjtë kthehen në klinikë për sesione të tjera bisedash flet për interesimin e tyre për programe të tilla. Ky program thotë ajo është i suksesshëm pasi djemtë dhe vajzat e reja e ndjejnë se dikush interesohet për ta dhe i respekton, dy elementë këta tepër të rëndësishëm për të rinjtë aq më tepër kur është fjala për tema të tilla të ndjeshme si për të rinjtë edhe për prindërit.//kk//

XS
SM
MD
LG