Lidhje

Shefja e re e Zyrës Amerikane premton të punojë për një Kosovë demokratike e shumetnike - 2003-08-01


Shefja e sapoemëruar e zyrës amerikane në Prishtinë, Marcie Reis, tha të premten se do të punojë së bashku me institucionet e Kosovës për ta bërë atë një vend demokratik e shumetnik.

Ajo i bëri këto komente pas takimit të parë zyrtar me presidentin e Kosovës, Ibrahim Rugova, takim me të cilin e filloi misionin e saj. Zonja Reis, tha se ekziston një miqësi e ngrohtë ndërmjet popullit amerikan dhe atij të Kosovës dhe këtë, ajo tha se e ka ndjerë që nga arritja e saj në Kosovë, dy ditë më parë.

“Me presidentin diskutuam si të punojmë së bashku për mënyrat e ndërtimit të Kosovës paqësore, përparimtare, demokratike dhe shumetnike”, tha zonja Reis.

Presidenti Rugova, nga ana e tij, tha se zonjës Reis i ka premtuar bashkëpunim të ngushtë dhe e ka njohur me punën e institucioneve për të krijuar më shumë siguri publike si dhe synimet për zhvillimin ekonomik, privatizimin dhe integrimin e grupeve etnike në shoqërinë e këtushme.

“Dhe natyrisht, unë insistoj që Kosova të njihet sa më parë një vend i integruar në NATO, në strukturat veriatlantike, në Bashkimin e Evropian dhe në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara, që është edhe vullnet i popullit të Kosovës”, theksoi presidenti Rugova, duke falenderuar ndërkaq qeverinë e Shteteve të Bashkuara për gjithë atë që ka bërë për Kosovën.

Zonja Marcie Reis pason ish-shefin e zyrës amerikane, Reno Harnish, i cili tani është emëruar amabasador i Shteteve të Bashkuara në Azerbaixhan. Zyra e Shteteve të Bashkuara në Kosovë, e hapur në qershor të vitit 1996, ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm, madje të pazëvendësueshëm për shqiptarët në proceset politike të Kosovës.//kk//

XS
SM
MD
LG