Lidhje

Linjat ajrore në gadishmëri të lartë, për t’u ruajtur nga terroristët - 2003-08-01


Në aeroportet e Shteteve të Bashkuara dhe kudo në botë janë shtuar masat e sigurisë pas paralajmërimeve të zbulimit amerikan se terroristët mund të rrëmbejnë avionë udhëtarësh.

Masat e sigurimit janë shtuar kudo në aeroportet e botës në klimën e paralajmërimeve të reja al-Qaida po planifikon që brenda disa muajve të ardhshëm të ndërmarrë rrëmbime të reja avionësh si ato 11 shtatorit.

Zyrtarët e rendit në Shtetet e Bashkuara po u kërkojnë linjave arore amerikane dhe të huaja si dhe agjentëve që merren me sigurinë e aroporteve të jenë në gatishmëri lartë për t’u ruajtur nga terroritët të cilët mund të përpiqen të rrëmbejnë avionë gjatë këtyre muajve deri në tetor. Ata thonë se objektivat më të mundshme janë Britania, Italia, Australia dhe Bregu Lindor i Shteteve të Bashkuara..

Plani, thonë ata, mund të jetë që me anë të grupeve prej 5 vetash të rrëmbehet për shembull avioni i një linje udhëtarësh menjëherë pas nisjes ose pak para uljes.

Zëdhënësi i Departamentit të Sigurisë Kombëtare Gordon Johndroe thotë se kjo agjenci po punon me qeveritë e huaja dhe me linjat e huaja ajrore për t’u bërë ballë kërcënimeve të reja.

“Ato duhet të rishikojnë praktikat e tyre të sigurisë për të parë nëse ka boshllëqe që duhen mbushur”.

Departamenti i Sigurisë Kombëtare thotë gjithashtu se terroristët mund të përpiqen të shfrytëzojnë të çarat të cilat lejojnë që në Shtetet e Bashkuara të hyjnë pa vizë me anë të ajrit më shumë se 360-mijë udhëtarë të huaj kur ata kalojnë tranzit për në një destinacion tjetër.

Shpesh qeveria nuk ka asnjë dijeni se cilët janë këta njerëz dhe ekziston shqetësimi se terroristët mund të depërtojnë në vend megjithë masat e sigurisë. Ja ç’thotë analisti i aviacionit, John Nance:

“Udhëtarët tranzit janë një shqetësim që lidhen me sigurinë prandaj ky problem duhet zgjidhur.”

Zyrtarët e qeverisë amerikane thonë se po studiojnë mundësinë e eliminimit të praktikës që lejon tranzitin pa vizë duke patur parasysh kërcënimet e reja terroriste. Ekipet e sigurisë së aeroporteve janë udhëzuar tani t’i kontrollojnë mirë udhëtarët e huaj me anë të detektorëve të metalit si dhe përmes kontrolleve trupore.

Bagazhet do të kalohen nëpër makinat që kontrollojnë praninë e lëndëve shpërthyese. Kontrollorët janë udhëzuar gjithashtu të kenë shumë kujdes për ndonjë armë që mund të jetë fshehur si aparat fotografik ose si aparat tjetër elektronik.

Zyrtarët amerikanë thonë se duke patur parasysh kërcënimet e reja të sigurimit, ata do të anulojnë një vendim të mëparshëm që shkurtonte fondet për vendosjen e rojeve të armatosura nëpër avionë. Zyrtarët amerikanë thonë se udhëtimi me avion është i sigurt. Ata shpresojnë se paralajmërimet e reja të sigurimit nuk do t’i ndalin njerëzit të udhëtojnë sidomos tani në stinën e verës në kulmin e stinës turistike. //kk//

XS
SM
MD
LG