Lidhje

40 mijë persona figurojnë të zhdukur nga luftrat e Ballkanit - 2003-08-01


Rreth 40 mijë persona figurojnë ende të humbur nga luftrat e 10 vjetëve në Ballkan sipas Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur. Komisioni Amerikan i Helsinkit organizoi të premten në mjediset e Kongresit një seancë dëshmish me familjarë të personave të zhdukur që nga luftrat në Bosnje, Kroaci dhe Kosovë.

Të premten është 28 vjetori i nënshkrimit të Aktit Final të Helsinkit, dhe me ketë rast, Komisioni Amerikan i Helsinkit, kishte ftuar për të dëgjuar dëshmitë e 4 banorëve serbë nga Serbia, Kroacia dhe Kosova përfaqësues të familjeve me persona të zhdukur.

“Të ftuarit e sotëm janë të gjithë serbë, por përkatësia e tyre etnike nuk ka rëndësi. Familjet janë të gjitha njësoj në gjithë botën, me të njejtat shpresa dhe endërra”, tha kryetari i Komisionit Amerikan të Helsinkit, ligjvenësi Christopher Smith.

Ai tha se dëshmia e sotme prekte vetëm një aspekt të problemit të madh të personave të zhdukur në Evropën Juglindore.

“Problemi i tyre, tha ai, është një nga përparësitë e punës së komisionit amerikan të Helsinkit. Ashtu si ndjekja e atyre që kanë kryer krime kundër njerëzimit, edhe zgjidhja e problemit të personave të zhdukur mund të ndihmojë për të mbyllur një plagë, për të ndihmuar familjet të kapërcejnë pasojat e tragjedisë”.

Njeri pas tjetrit të ftuarit për të dëshmuar sollën historitë e familjeve por edhe të shoqatave që ata përfaqësojnë në kërkim të personave të zhdukur.

Sipas të dhënave të Kryqit të Kuq dhe UNMIK-ut, numri i rasteve të pazgjidhura ende në Kosovë, nga numri i përgjithshëm i personave të zhdukur, është 3696, nga të cilët 2836 janë shqiptarë dhe 860 të kombësive të tjera etnike.

Olgica Bozanic është nga zona e Rahovecit dhe sot jeton si refugjate ne Serbi e larguar nga Kosova pas hyrjes së trupave të Natos. Në dëshminë e saj para Komisionit amerikan të Helsinkit, ajo tha se është ende në kërkim të 14 anëtarëve të famijes që u rrëmbyen nga UÇK-ja, mes të cilëve dy vëllezër të saj.

Verica Tomanovic, eshte mësuese muzike që ka jetuar në Prishtinë. Sot, si shumë banorë të tjerë ajo jeton si refugjate. Zonja Tomanovic, foli për rastin e bashkëshortit të saj, profesor në universitetin e Prishtinës që është rrëmbyer dhe nuk i dihet fati.

Në dëshminë e saj ajo u bëri thirrje udhëheqësve shqiptarë në Kosovë që të ndihmojnë për gjetjen e fatit të bashkëshortit të saj dhe të personave të tjerë të zhdukur në Kosovë, pavarësisht nga përkatësia e tyre etnike.

Zonja Tomanovic tha se ajo deshiron të kthehet në Prishtinë, të cilën e konsideron ende si qytetin e saj dhe të jetojë me fqinjët që ka patur më parë, me të cilët, tha ajo, ka kaluar mirë dhe nuk ka ndryshuar mendim. Ata që kanë kryer krime, tha zonja Tomnoviç duhet të dënohen, ndërsa personat e tjerë duhet të lejohen të jetojnë të lirë në shtëpitë e tyre.

Janë pikërisht këto tragjedi familjare të shkaktuara nga luftrat në Ballkan që pengojnë sot procesin e integrimit të shoqërive të ish vendeve që i përkisnin Jugosllavisë.

Përmes dëshmive si ajo e sotmja Komisioni Amerikan i Helsinkit synon të rrisë vëmendjen për këtë probelm që qeveritë dhe organmizatat ndërkombëtare të bëjnë më shumë për zgjidhjen e fatit të të zhdukurve.

Komisioni Amerikan i Helsinkit është një agjenci e pavarur federale që vëzhgon dhe nxit respektimin e Marrëveshjeve të Helsinkit. Komisioni u krijua në vitin 1976 dhe përbëhet nga 9 senatorë, 9 anëtarë të Dhomës së Përfaqësuesve dhe nga një përfaqësuse nga Departamenti i Shtetit, Departamenti i Mbrojtjes dhe ai i Tregëtisë.//kk//

XS
SM
MD
LG