Lidhje

Koreja e Veriut do të marrë pjesë në bisedime shumëpalëshe - 2003-08-01


Presidenti Bush thotë se ndjehet optimist tani që Koreja e Veriut ka pranuar të zhvillohen bisedimet shumëpalëshe në lidhje me programin e saj të armëve bërthamore.

Presidenti Bush e quajti të premten zhvillim pozitiv vendimin e Koresë së Veriut. Ai tha se po bëhet përparim në përpjekjet për ta sjellë Phenianin në tryezën e bisedimeve.

Presidenti gjithashtu tha se ka shpresë që udhëheqësi i Koresë së Veriut Kim Jang Il, do të marrë vendim për eliminimin e plotë të programit të armëve bërthamore të vendit të tij, si dhe do të lejojë inspektorët ndërkombëtarë ta vrifikojnë këtë.

Ende nuk dihet koha dhe vendi i bisedimeve shumëpalëshe, por zyrtarët amerikanë kanë thënë se takimet mund të fillojnë në Pekin muajin e ardhshëm.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Scott McClellan thotë se nuk do të zhvillohen bisedime private me Phenianin. Ai thotë se zyrtarët koreanoveriorë sigurisht, që mund të bisedojnë direkt me homologët e tyre amerikanë në kuadrin e bisedimeve shumëpalëshe, por ai mohoi njoftimet e Agjencisë së Lajmeve të Koresë së Veriut se administrata e presidentit Bush ka rënë dakord për bisedime dy-palëshe.

Presidenti Bush nuk pranoi të zhvillohen bisedime dy-palëshe, duke thënë se udhëheqësi i Koresë së Veriut Kim Jung Il, nuk u ka thënë të vërtetën zyrtarëve amerikanë të administratave të mëparshme. Ai thotë se pranimi nga ana e Phenianit për bisedime shumë-palëshe me pjesëmarrjen e Shteteve të Bashkuara, Kinës, Koresë së Jugut, Japonisë dhe Rusisë, është një përparim i mirë drejt zgjidhjes rajonale të krizës. “Ne e kuptojmë mjaft mirë të kaluarën. Megjithatë, shpresojmë që zoti Kim Jang Il, duke dëgjuar edhe mendimin e vendeve të tjera, do të marrë vendimin për shkatërrimin e plotë të programit të armëve bërthamore dhe do të lejojë të ketë transparensë të plotë dhe të verifikueshme. Dhe ne jemi optimistë se kjo mund të ndodhë”.

Presidenti Bush thotë se në të kaluarën, vetëm Shtetet e Bashkuara ishin shprehur qartë në lidhje me rrezikun që paraqet Koreja e Veriut. Presidenti u shpreh optimist se tani edhe vendet e tjerado t’i bashkohen këtij procesi.//kk//

XS
SM
MD
LG