Lidhje

Presidenti Bush: vendimi i Koresë së Veriut është zhvillim pozitiv - 2003-08-02


Presidenti Bush tha se është optimist se vendimi i Koresë së Veriut për të për të marrë pjesë në bisedime shumëpalëshe do të çojë në çmontimin e programit të saj të armëve bërthamore.

Presidenti e cilësoi vendimin e Koresë së Veriut si zhvillim pozitiv. Ai tha se shpreson që vendet fqinje të Koresë së Veriut mund të ndihmojnë Shtetet e Bashkuara për të bindur udhëheqësin koreanoverior, Kim Jong-Il, të heqë dorë nga programi armëve bërthamore dhe të lejojë komunitetin ndërkombëtar të verifikojë se ai e ka bërë një gjë të tillë.

Presidenti Bush tha se Washingtoni nuk do të pranonte zhvillimin e bisedimeve dypalëshe me Phenianin pasi në të kaluarën, Koreja e Veriut nuk është treguar e sinqertë me Shtetet e Bashkuara. Mirëpo, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Skat Makllellen, la të kuptohej se komunikimi mes dy palëve mund të realizohet në kuadër të bisedimeve shumëpalshe.

Të premten, Pheniani njoftoi se kishte pranuar zhvillimin e bisedimeve me pjesëmarrjen e dy shteteve koreane, Japonisë, Kinës, Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara. Gjatë nëntë muajve të fundit, Koreja e Veriut ka këmbëngulur se do të pranonte vetëm zhvillimin e bisedimeve të drejtpërdrejta me Shtetet e Bashkuara.

Koha dhe vendi për bisedimet shumëpalëshe ende nuk janë caktuar përfundimisht, por zyrtarë amerikanë kanë thënë se ato mund të fillojnë muajin tjetër në Pekin.//xh//

XS
SM
MD
LG