Lidhje

Një ushtar amerikan vritet dhe 3 të tjerë plagosen në veri të Bagdadit - 2003-08-02


Zyrtarë të ushtrisë amerikane thonë se sulmi me granada u drjetua kundër një autokolone në veri të kryeqytetit, përreth zonës së Baladit.

Sulmi kundër autokolonës së Divizionit të Katërt të Këmbësorisë e çoi në 53 numrin e ushtarëve amerikanë të vrarë nga sulmet armike në Irak, që nga 1 maji, kur presidenti Bush i shpalli të përfunduara luftimet kryesore në këtë vend.

Zyrtarë ushtarakë amerikanë thonë se besnikë të patundur të Sadam Huseinit, si dhe disa mercenarë të huaj fshihen pas sulmeve guerrile. Megjithatë disa irakianë thonë se mendojnë që sulmet po kryhen nga nacionalistë, të cilët duan largimin nga vendi të trupave të koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara.

Ushtarë të Divizionit të Katërt të Këmbësorisë zhvilluan gjithashtu gjatë natës një operacion kërkimi në qytetin e Tikritit, vendlindja e Sadam Huseinit, dhe arrestuan një person të dyshuar për organizimin e sulmeve.

Oficerë amerikanë thonë se kanë shtuar operacionet e tyre me shpresë për të kapur sa më parë vetë ish diktatorin irakian.

Gjysëmhëna e Kuqe varros djemtë e Sadam Huseinit në Tikrit

Drejtori rajonal i Gjysëmhënës së Kuqe në Tikrit, Tharvah Abed Bekër, thotë se trupat e Udait dhe Kusait të mbështjellë me flamurë irakianë, u varrosën të shtunën në varrezat e Avxha-së, pasi u sollën nga Bagdadi me ambulancë.

Në vendin e varrimit ndodheshin trupa të shumta amerikane dhe gazetarët nuk u lejuan të fotografonin apo filmonin procesin.

Të shtunën më herët, ushtria amerikane ia dorëzoi trupat degës irakiane të shoqatës Gjysëm Hëna e Kuqe për t’i varrosur. Trupat mbaheshin në një bazë amerikane në Aeroportin Ndërkombëtar të Bagdadit. Vëllezërit u vranë nga forcat amerikane në një përleshje me armë më 22 korrik në qytetin irakian të Mosulit.

Në bazë të rriteve myslimane, trupat duhet të varrosen sa më shpejt që të jetë e mundur pas vdekjes. Por zyrtarë amerikanë thonë se ishte e domosdoshme të provohej përtej çdo dyshimi identiteti i të vrarëve. Zyrtarët thonë gjithashtu se ishte e rëndësishme të konsultoheshin me irakianë me autoritet në lidhje me një proces varrimi të përshtatshëm. //az//

XS
SM
MD
LG