Lidhje

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha shprehet i sigurtë për fitoren në zgjedhje - 2003-08-04


Partia Demokratike e Shqiperisë, forca kryesore e opozitës, pritet të mbyllë nesër ciklin e përzgjedhjes së kandidatëve të saj për votimet e 12 tetorit për pushtetin vendor. Tashmë janë caktuar emrat për qytetet kryesore të vendit, ndërsa janë në proçes bisedimet e fundit për aleancat zgjedhore. Demokratët pritet të arrijnë një marreveshje edhe me Partinë e Bashkimit të të Drejtave të Njeriut, ndonëse kjo forcë është anëtare e koalicionit qeveritar. Partia Demokratike megjithatë nuk arriti të binte dakort për një aleancë me Partinë e Demokratëve të Reformuar të Genc Pollos, e cila renditet si forca e tretë në vend. Në disa qytete të mëdha, mosarritja e bashkëpunimit ka bërë që e djathta të paraqitet me disa kandidatë të ndryshëm.

Intervistë me kryetarin e Partisë Demokratike Sali Berisha.

Zëri i Amerikës: Zoti Berisha, fillimisht a mund të na jepni një pasqyrë të përgatitjeve të deritanishme për zgjedhjet vendore?

Sali Berisha: Po, mund t’ju them se është kompletuar përfundimisht përzgjedhja e kandidatëve për të gjitha bashkitë e vendit. Nesër (të martën) do të rishqyrtohen kandidatët e të gjitha komunave të vendit në bazën e të gjithë informacioneve të grumbulluara. Pra përfundon përzgjedhja midis 2 mijë kandidaturave të 420 kandidatëve dhe gjykoj se ka qenë një proces tërësisht i hapur. Kam bindjen e thellë se janë përzgjedhur nga të gjitha fushat e mëdha të jetës së vendit, kandidaturat më të spikatura si të qarqeve akademike, të botës së biznesit, të fushës së shkencave të tjera, mjekësi, drejtësi, pra është bërë një përzgjedhje dua të them më e mirë se asnjëherë më parë.

Zëri i Amerikës: Zoti Berisha Partia Socialiste është zhytur në një krizë të brendshme dhe kjo pritet të ndihmojë opozitën në këto zgjedhje. Por megjithatë analistë të ndryshëm pak shprehen optimist për një fitore të mundshme të opozitës. Cila do të jete strategjia juaj për këto zgjedhje?

Sali Berisha: Unë jam i sigurtë në një fitore të thellë të opozitës, dhe nuk e bazoj këtë fitore aspak, as në konfliktualitetin e brendshëm të Partisë Socialiste, as për faktin se përballë vlerave të padiskutueshme shoqërore të kandidatëve tanë, ndodhet rëndomë oktapodi, por e bazoj këtë në alternativën që ne do t’u paraqesim qytetarëve shqiptarë për të gjitha hallet, problemet, çështjet madhore që ju krijojnë atyre dhimbje të jetës së përditshme. Pra do t’i japim vendit alternativat më të mira për zgjidhjen e këtyre problemeve, sikundër do të angazhohemi në një fushatë qytetare. Ne kemi përzgjedhur përfaqësues dinjitozë të shoqërisë shqiptare të cilët në këtë fushatë do të shpalosin vlerat e tyre individuale dhe të qyteteve, fshatrave, komunave që përfaqësojnë.

Zëri i Amerikës: Zoti Berisha cilat janë ato probleme madhore për të cilat ju do të ofroni alternativa të ndryshme nga qeverisja aktuale, që ju bën të sigurtë për fitore?

Sali Berisha: Së pari do të kemi një qeverisje transparente tërësisht para qytetarëve e cila do të jetë me një tolerancë zero ndaj korrupsionit. Së dyti, çështjet e ujit, dritave, rrugëve, shkollave, spitaleve, çerdheve, do të jenë përparësia e të gjithë programeve tona, bashkëzgjidhja e tyre në kuadrin e bashkëpunimit rajonal, evropian si dhe në kuadrin e bashkëpunimit rajonal me institucionet ndërkombëtare. Së treti, do të jetë ligji. Dua të përmend vetëm qëndrimin që mbajti ditën që u futën në parlament këshilltarët e Partisë Demokratike: deklaratën e padrinos së Tiranës Edvin Ramës që tha “s’doja që të vinit”. E kundërta do të ndodhë. Do të restaurohet fuqia e parlamenteve vendore, do të jenë këshillat, përfaqësuesit e zgjedhur ata të cilët do të kontrollojnë çdo qindarkë dhe në çdo qelizë veprimtarinë e të zgjedhurve tanë, sikundër jam i bindur se koalicioni që del nga këto zgjedhje, do të jetë më i gjerë se në të gjitha zgjedhjet e mëparëshme.

Zëri i Amerikës: Zoti Berisha ju u shprehët i bindur në një fitore, por a nuk mendoni se do t’ju dëmtojë fakti që nuk keni arritur të nënshkruani aleanca, marrëveshje me partitë e tjera. Bie në sy përshembull dështimi i marrëveshjeve me demokratët e reformuar dhe në disa zona opozita ka dalë me disa kandidatë.

Sali Berisha: Së pari dua të theksoj se ne kemi paraqitur absolutisht obsionet më maksimale për një koalicion. I kemi ofruar kësaj partie dhe të gjitha partive të tjera dëshirën dhe vullnetin tonë për të përzgjedhur bashkërisht kandidatët për të gjitha komunat dhe bashkitë e Shqipërisë, që të dalim me kandidatë të përbashkët. I kemi ofruar si variant tjetër nënkryetarin e bashkisë dhe komunave në të gjitha ato bashki dhe komuna ku kjo do të jetë forcë e dytë pas nesh. I kemi ofruar variantin e tretë, rreth 13 përqind të bashkive dhe komunave të vendit. Por që të gjitha këto oferta janë refuzuar nga Partia e re Demokrate dhe në këto kushte ka vendosur të dalë vetëm. Por dua të theksoj këtu, se pavarësisht nga kjo, mund të them se me të gjitha partitë e tjera po organizohet një koalicion jo i parëndësishëm, por i rëndësishëm në bazë dhe në komunat dhe bashkitë periferike të vendit, kështu që ne paraqitemi me një koalicion më të gjerë se tre vjet më parë.

Zëri i Amerikës: Një nga garat më interesante në këto zgjedhje pritet të jetë ajo për Bashkinë e Tiranës. Si mendon Partia Demokratike të konkurojë ndaj kryetarit të tanishëm Edi Rama, i cili shihet si i sukseshëm nga analistët?

Sali Berisha: Në fakt gara për Tiranën ka aspekte mjaft të rëndësishme. Në njërën anë është kandidati i Partisë Demokratike, një nga avokatët kryesorë të lirisë dhe vlerave të saj, në anën tjetër është një padrino i cili është shndëruar në tre vjet në trumbullarët e krimit të organizuar, të korrupsionit, të larjes së parave të pista. E konsideroj një betejë shumë pasionante dhe jam i bindur se qytetarët e Tiranës do t’i japin me votën e tyre, ndërshkimin që meriton, ndonëse ky individ duhet të kishte për sfidant të vetëm prokurorinë e një shteti që nuk ekziston.

XS
SM
MD
LG