Lidhje

Kosovë: zyrtarët vendorë dhe të huaj dënojnë vrasjen e policit të UNMIK-ut - 2003-08-04


Një pjesëtar i policisë së Kombeve të Bashkuara në Kosovë, është vrarë mbrëmë në rrethana të pasqaruara, në një fshat të Kosovës veriore.

Zyrtarët e policisë, thanë se polici, po udhëtonte në rrugën ndërmjet Mitrovicës dhe komunës së Leposaviqit, kur një apo më shumë persona, kanë shtënë me armë zjarri mbi automjetin e tij, duke e atë qëlluar për vdekje. Tani për tani, nuk dihen motivet dhe autorët e kësaj vrasjeje, që sipas policisë, besohet se është kryer me pushkë me snajper.

Komisioneri i policisë së Kombeve të Bashkuara, Stefan Voeller, e ka cilësuar këtë veprim, “si sulm të qëllimshëm nga persona që synonin vrasjen e policit”.

Zyrtarët bënë të ditur se i vrari është polici indian 43 vjeçar, Satish Menon. Ky është rasti i parë i vrasjes së një pjestari të policisë ndërkombëtare në Kosovë, që nga vendosja e saj në Kosovë më 1999. Policia ka mbyllur rrugën Mitrovicë – Leposaviq dhe po vazhdon hetimet intensive. Kosova veriore është zonë e banuar me shumicë serbe dhe me disa fshatra të pakta me shumicë shqiptare.

Zyrtarë ndërkombëtarë dhe vendorë dënojnë fuqishëm vrasjen e policit

Vrasja e mbrëmë e pjesëtarit të policisë së Kombeve të Bashkuara në Kosovë është dënuar fuqishëm nga përfaqësuesit më të lartë të bashkësisë ndërkombëtare dhe ata të institucioneve e partive politike të Kosovës.

Shefja e zyrës amerikane në Prishtinë Marcie Reis ka theksuar nëpërmjet një komunikate për opinion:

“Kjo vrasje e tmerrshme nuk është vetëm sulm në një zyrtar ndërkombëtar, i cili e la vendin e tij për të punuar në Kosovë, por një sulm në sundimin e ligjit dhe në institucionet e drejtësisë. Që nga mesi korrikut ka pasur një përshkallëzim të dukshëm të sulmeve të dhunshme kundër sistemit të policisë dhe drejtësisë në Kosovë. Është e qartë se elementet kriminale janë të vendosur që të shkatërrojnë përparimin që Kosova ishte duke e bërë në përmbushjen e standardeve të caktuara nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkësia Ndërkombëtare. Njerëzit që qëndrojnë prapa këtyre sulmeve, kushdo që janë dhe çfarëdo që janë motivet e tyre, po e dëmtojnë Kosovën dhe popullin e saj”, thuhet në reagimin e zonjës Reis.

Ndërkaq, zyrtarët e Misionit të Kombeve të Bashkuara e cilësuan vrasjen si goditje të drejtëpërdrejtë në forcat ndërkombëtare të rendit. Zhan Kristian Kadi, përgjegjës për drejtësinë dhe policinë në UNMIK tha:

“Kjo vrasje është pengesë për procesin e ndërtimit të paqes për të cilën bashkësia ndërkombëtare dhe qytetarët e Kosovës janë angazhuar së bashku. Cilëtdo qofshin autorët apo motivet e vrasjes, kjo dëshmon se disa elemente në këtë shoqëri nuk kanë hequr dorë nga dhuna. Kosova ka pasur mjaft dhunë. Ajo duhet të sigurojë një imazh të mirë. Së bashku me qeverinë e Kosovës duhet dënuar ky akt i neveritshëm dhe duhet dëshmuar që ata që e bënë këtë akt nuk kanë kurfarë mbështetjeje”, -tha zoti Kadi.

Vrasjen e ka dënuar fuqishëm edhe presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova i cili e ka cilësuar atë një “goditje ndaj përparimit të arritur në Kosovë”.

Ndërsa në reagimin e qeverisë së Kosovës thuhet mes tjerash se “ky akt ekstremist, është drejtuar kundër përpjekjeve të institucioneve demokratike të Kosovës, dhe bashkësisë ndërkombëtare për vendosjen e rendit dhe të sigurisë në gjithë Kosovën. Qeveria e Kosovës i ofron përkrahjen e plotë policisë së Kombeve të Bashkuara në përpjekjet për rend dhe qetësi dhe luftë kundër krimit”, thuhet mes tjerash ne reagimin e qeverisë së Kosovës.

Vrasjen e dënuan edhe partitë politike, të cilat kanë pohuar se kjo ka goditur tërë përpjekjet e përbashkëta të bashkësisë ndërkombëtare dhe të institucioneve dhe popullit të Kosovës, për të krijuar një mjedis të qetë dhe të sigurtë për të gjithë. Në të gjitha reagimet u është bërë thirrje qytetarëve që të ndihmojnë policinë në ndricimin e kësaj vrasjeje dhe të ndihmojnë që Kosova të bëhet një vend i sigurtë për të gjithë qytetarët e saj.

Presidenti Rugova takohet me shefin e Grupit Ndërkombëtar të Krizave

Vendosja e sigurisë, paqes dhe qëndrueshmërisë, është cilësuar ndërkaq si kusht edhe për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, në një takim që presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova, zhvilloi në Prishtinë me shefin e Grupit Ndërkombëtar të Krizave, Garret Evans.

Presidenti tha se shefin e kësaj organizate të pavarur, e ka njoftuar me përparimin e arritur në Kosovë gjatë viteve të fundit dhe synimet e institucioneve të saj. “Gjithsesi unë insistoj që Kosova të njihet sa më parë si vend i pavarur, i integruar në NATO dhe Bashkimin Evropian dhe në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës që do të qetësonte rajonin tonë, këtë pjesë të Evropës dhe të botës”,- theksoi presidenti Rugova.

Ndërkaq, zoti Evans tha se në Kosovë është shënuar mjaft sukses drejt normalizimit të gjendjes, por ende ka punë për të bërë që, paqja, qëndrueshmëria dhe siguria të kthehen në Kosovë dhe në rajon. “Lëvizja drejt bisedimeve rreth statusit politik, nuk duhet të shtyhet edhe për shumë kohë,- tha zoti Evans, duke shtuar se për të lëvizuar drejt kësaj cështjeje duhet të plotësohen disa kushte. Në radhë të parë, duhet të vendosen institucionet e vetëqeverisjes me përgjegjësi të plota, theksoi ai, duke i bërë thirrje administratës ndërkombëtare, që të ketë më shumë besim tek institucionet vendore. Me këtë, tha ai, do të shmangej mundësia që politikanët të fajësojnë gjithkë, përvec vetvetes, për të gjitha gjërat që nuk shkojnë mirë. Çështje tjetër që duhet të ndodhë, është që të ketë ndryshime sa më të mëdha psikologjike në funksion të njohjes së të drejtave të pakicave dhe kthimit të tyre.// lk //

XS
SM
MD
LG