Lidhje

Rezet Lazer premtuese për të kryer operacione - 2003-08-06


Rrezet lazer përdoren në mjeksi për shumë gjëra, nga kurimi i kancerit deri tek rregullimi i shikimit. Tani një teknikë me rreze lazer për të parë indet mund të bëjë të mundur eliminimin e operacionit që i ndihmon mjekët të diagnostikojnë sëmundjet.

Çdo ditë nëpërmjet thikës ose gjilpërës mjekët bëjnë biopsi për të nxjerrë sasi të vogla të indeve të pacientëve dhe për t’i parë ato në mikroskop për sëmundje të mundshme. Për biopsitë duhen ditë që të përfundohen dhe kërkohen kimikate që mund të jenë të dëmshme për punonjësit e laboratorit.

Në një studim të kohëve të fundit, përshkruhet një teknikë me rreze lazer nëpërmjet të cilës mund të shihen qelizat e veçanta dhe të bëhen biopsi, që kërkojnë vetëm disa minuta.

Studjuesit e Universitetit Cornell dhe Harvard, po e zbatojnë këtë teknikë në eksperimente tek kafshët dhe njerzit, duke vëzhguar çdo gjë nga funksionimi i trurit deri tek kanceri.

Mjeku dhe inxhinjeri i Universitetit Cornell, Watt Webb, është një prej shpikësve të metodës së re, e cila u bën të mundur shkencëtarëve të shikojnë gati 1 milimetër në thellësi të indit.

“Ne mund të shikojmë nëpër lëkurë, mund të shikojmë qarkullimin e gjakut, strukturat e kolagjeit nën lëkurë dhe shumë të tjera. Pra kjo është një teknologji kjo shumë e dobishme për diagnostikimin e sëmundjeve dhe mendojnë se së shpejti do të gjejë zbatim në mjeksi.”

Por si funksionon ky proces i ri me rreze lazer? Disa molekula në trupin e njeriut ndriçojnë kur i nënshtrohen një drite të caktuar. Zakonisht, energjia e lartë që përdoret për të ndriçuar molekulat mund të dëmtojë indet. Por drita me energji më të ulët, si rrezet infra të kuqe, janë shumë më pak të dëmshme dhe shumë të volitshme për të parë nëpër inde.

Studjuesi i Universitetit Cornell, Warren Zipfel, thotë se nevojitet ennergjia e të paktën dy pjesëzave të dritës për të ndriçuar disa molekula të trupit. Pikërisht këtu pulset me rreze lazer funksionojnë më mirë se sa drita natyrale.

Imazhi shumë ngjyrësh që përftohet skanohet nga mikroskopi dhe përpunohet me kompjuter. Kështu mund të shikosh fotografi shumë të hollësishme 3 dimensionale të qelizave të gjalla.

“Ne mund të krijojmë imazhe me rezolucion shumë të lartë. Është njëlloj sikur për shembull të shikosh 100 faqe të një libri pa e hapur librin.”

Eksperti i teknikave optike të Universitetit Wisconsin, John White, i cili nuk mori pjesë në studim, është i gëzuar që këto fotografi me ngjyra tregojnë veçori të ndryshme të indit në të njëjtën kohë, gjë që në kushte normale kërkon kimikate të shumta në një biopsi me operacion.

Studjuesi i Universitetit Cornell, Warren Zipfel, dhe bashkëpunëtorët e tij po përpiqen ta përmirësojnë teknikën. Ata po e lidhin lazerin me fibra të holla dhe elastike xhami, të cilat përcjellin dritën. Duke i futur këto fibra optike në trup, ata shpresojnë të shikojnë më thellë se sa një milimetër, në mënyrë që kjo procedurë të mund të zëvendësojë biopsitë.

XS
SM
MD
LG